LAJMI I FUNDIT:

AKP-ja vazhdon ndarjen e 20 përqindëshit

AKP-ja vazhdon ndarjen e 20 përqindëshit

Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), ka miratuar listat e punëtorëve të shqyrtuar nga Komisioni përkatës për shpërndarjen e pjesshme të 20 përqindëshit për punëtorët e tri ndërmarrjeve shoqërore, Zastava-Ramiz Sadiku, Pejë, Prodhimtaria Primare-Ereniku, Gjakovë, 28 Nëntori, Podujevë.

Bordi i Drejtorëve miratoi shpërndarjen përfundimtare të fondeve të likuidimit për Ndërmarrjen Kosova Kontroll– rajoni i Prishtinës. Ky është një lajm shumë i mirë për Agjencinë dhe për Kosovën, pasi që është ndërmarrja e dytë e likuiduar në tërësi. Pas përmbushjes së kërkesave të kreditorëve, shuma e mbetur në shumë 60 mijë euro, në bazë të ligjit, i transferohet buxhetit të Kosovës.

Bordi diskutoi edhe për procesin e filluar dhe që është duke vazhduar për amandamentimin e ligjeve që lidhen me procesin e likuidimit, me qëllim të përshpejtimit të këtij procesi të rëndësishëm për procesin e privatizimit dhe për ekonominë e Kosovës në përgjithësi. “Bordi i Drejtorëve aprovoi Valën e 50 të privatizimit, në të cilën janë vendosur për shitje 15 ndërmarrje të reja atraktive dhe me perspektivë. Gjithashtu, Bordi aprovoi transaksionet e shitjes përmes Valës 49 të privatizimit, si dhe transaksionin e ndërmarrjes “Llamkos”, me kushte rigoroze ndaj ofertuesit fitues me qëllim të realizimit të premtimeve të dhëna në ofertë”, thuhet në njoftimin e AKP-së për media.

Bordi i Drejtorëve diskutoi dhe miratoi një memorandum lidhur me kompensimin e punëtorëve të skemës së asistencës sociale të Sharrcem nga fondet e akumuluara nga të ardhurat e qirasë.


Gjatë këtij takimi, Bordi i Drejtorëve diskutoi edhe për depozitimin e mjeteve të fondeve të mirëbesimit në BQK, ku deri më tani janë deponuar 532 milionë euro, ndërsa norma e interesit llogaritet 4.4 milionë euro, ose 3.9 milionë euro më shumë se më parë, që i bie 8 herë më shumë përfitime se sa që ishin fituar po qese mjetet do të mbaheshin akoma në xhirollogari rrjedhëse. AKP do të vazhdojë me deponimin e mjeteve në BQK, duke kërkuar mundësi për norma më të larta të interesit. /Telegrafi/