LAJMI I FUNDIT:

Strategji rajonale për energji

Strategji rajonale për energji

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE) Besim Beqaj, ka vlerësuar të enjten se Kosova ka përparime substanciale në infrastrukturën ligjore dhe në projektet konkrete në lëmin e energjetikës, ndërsa Slavtcho Neykow, drejtor i Sekretariati te Traktatit të Komunitetit për Energji tha se janë shumë të kënaqur me punën që është bërë deri tani.

Gjatë takimit me Neykow ministri Beqaj tha se janë këmbyer informatat lidhur me nivelin në të cilin gjendet Kosova në implementimin e marrëveshjen së është arritur në kuadër të Traktatit të Komunitetit për Energji.

“Kosova është në fazë relativisht të avancuar sa i përket legjislacionit, me projektet, për të shkuar përpara në fushën e energjisë, për projektet tona për ndërtim të Termocentralit Kosova e Re, për kapacitetet e energjisë së ripërtritshme, për pjesën tjetër të angazhimeve të cilat lidhen me plotësimin e rregullave të Unionit Evropian sa i përket tregut të energjisë “, tha ministri Beqaj.

Ai bërë të ditur se aktualisht është duke u hartuar një strategji rajonale për energji.


Kurse Slavtcho Neykov tha se janë shumë të kënaqur me punën që është bërë deri tani në Kosovë. Ai theksoi se shumë ligje janë adoptuar, gjithashtu jemi shumë të kënaqur dhe të impresionuar nga hapat që ka marrë Qeveria për legjislacionin dhe për legjislacionin dytësor. “Ne e dimë që të gjitha palët kontraktuese të marrëveshjes së Traktatit të Komunitetit të Energjisë kanë vështirësi të ndryshme sa i përket energjisë dhe furnizimit të energjisë elektrike”, tha Neykov.

Ai theksoi se në duart dhe kompetencat e Qeverisë së Kosovës mbete të përcaktohet se cilat do të jenë projektet që do të zhvillohen dhe si do të zhvillohen. /Telegrafi/