LAJMI I FUNDIT:

Portugalia nis bisedimet për borxhin

Portugalia nis bisedimet për borxhin

Ndihma financiare për Portugalinë ka hyrë në një fazë të re shumë të rëndësishme, por edhe të zymtësuar disi nga rezultati i zgjedhjeve në Finlandë.

Përfaqësuesit e Bashkimit Europian, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Qendrore Europiane kanë nisur vizitën disa ditore në Lisbonë ku do të vendosin mbi kushtet e marrëveshjes së ndihmës, e treta pas asaj që u akordua për Greqinë dhe Irlandën.

Në javën e kaluar zyrtarë të këtyre institucioneve inspektuan financat publike të Portugalisë dhe besohet se në total nevoja është 80 miliardë euro. Bisedimet me qeverinë që kanë nisur në ditën e sotme janë në nivel politik.

Besohet se marrëveshja do të përmbajë kushte për privatizime të mëdha të aseteve shtetërore, thellim radikal të reformës në sistemin e punësimit si dhe masa për të reformuar sistemin bankar të prekur nga dobësia e ekonomisë. Besohet se marrëveshja do të mbyllet në mesin e muajit maj, për ti paraprirë zgjedhjeve të 5 qershorit. Por miratimi i saj është i kërcënuar nga vetoja që mund të vendosë parlamenti i Finlandës, në të cilin euro-skeptikët kanë fituar në një masë të papritur.


Nëse palët nuk do të arrijnë do të gjejnë një marrëveshje, zyrtarët europiane do të duhet të gjejnë instrumente të tjerë për të financuar 10.5 miliardë euro borxh portugez që maturohet në javët e fundit të majit. /Telegrafi/