LAJMI I FUNDIT:

Linjë e re Prishtinë–Bern

Linjë e re Prishtinë–Bern

Me rastin e lëshimit të linjës së re Prishtinë – Bern, drejtues të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe ata të kompanisë ajrore Hervetic, janë zotuar se do të punojnë në zhvillimin e aeroportit dhe lehtësimin e udhëtimit për të gjithë shtetasit e Kosovës, të cilët jetojnë jashtë vendit.

Përfaqësuesja e kompanisë ajrore Hervetic, Nafalie Scheurer tha se kjo kompani në të ardhmen e afërt do të zgjerojë fluturimet Prishtinë- Bern, linjë kjo e cila fillimisht do të realizohet çdo të hënë.

Drejtori menaxhues i Limak Kosovo International Airport, Ferda Yakar theksoi se kompania Limak do të angazhohet vazhdimisht që pasagjerëve te ANP-së t’u ofrojë shërbime cilësore.

“Ne do të mundohemi të rrisim fluturimet, gjithashtu të rrisim edhe fluturimet për Bern dhe Zvicër, dhe mendoj që do të kemi sukses në 20 vitet e ardhshme. Ne do të zhvillojmë këtë aeroport aq sa kemi mundësi dhe besojmë se do t’i rrisim fluturimet në të ardhmen”, theksoi Yakar. /Telegrafi/