LAJMI I FUNDIT:

Shkupi favorizon Serbinë, shmang Shqipërinë

Shkupi favorizon Serbinë, shmang Shqipërinë

Edhe pse më i rëndësishëm dhe sjellë më tepër përfitime, Korridori 8, i cili lidh Maqedoninë me Shqipërinë dhe Bullgarinë dhe siguron qarkullim më të shpejtë të mallrave drejt porteve të këtyre vendeve, nuk është në listën e prioriteteve të Qeverisë së Shkupit.

Prioritet mbetet Korridori 10 përkatësisht shtylla Beograd –Athinë, shkruan sot “Lajmi” i Shkupit.

Këshilli drejtues i Bankës Evropiane për ripërtëritje dhe zhvillim i miratoi Maqedonisë një borxh prej 107 milionë euro për ndërtimin e autostradës Demir Kapi – Smokvica nga Korridori 10, në gjatësi prej 28,2 kilometrave.

Ndërkaq, për 12 vjet rresht në korridorin 8 nuk është bërë asnjë investim. Ky korridor akoma ka mbetur në fazën fillestare, ku akoma nuk janë zgjedhur kompanitë që do të bëjnë ndërtime. “Brenda vitit përfundon faza e dytë e dhe do të kemi edhe kompanitë. Pesë kompani janë caktuar atje, janë në fazën e dytë në konkurrentë dhe brenda vitit do të përfundojë oferta dhe do të definohet ndërtimi i kësaj zone”, thotë ministri i Ekonomisë, Fatmir Besimi.


Ai sqaron se transporti rrugor do të vazhdojë deri në Qafë Thanë të Shqipërisë dhe deri në Bllacë të Kosovës, ndërsa transporti hekurudhor dhe pjesët e tjera të korridorit janë në fazë të projektimit.

Ndërsa eksperti i çështjeve ekonomike, Abdylmenaf Bexheti thotë se në perspektivën ekonomike, Korridori 8 është më i rëndësishëm, por në perspektivën politike të Maqedonisë, padyshim që dhjetëshja mbetet prioritet. “Shtylla Beograd – Athinë akoma ka më shumë prioritet në krahasim me shtyllën Tiranë – Sofje. Domethënë nëse i referohemi parametrave nga është dhe nga shkon tregu sigurisht se tregu euro-perëndimor na çon në Korridorin 8. Arsyet e natyrës ekonomike janë më shumë pro Korridorit 8, ndërsa arsyet e natyrës politike e mbajnë peng Korridorin 8 tash e 12 vite”, thotë Bexheti.

Nga Korridori 8 përveç rrugës Shkup –Tetovë, që është ndërtuar në vitin 1999, kemi vetëm trajektoren e Shkupit. Ndërsa në Korridorin 10 kemi shumë pjesë të kompletuara të ndërtuara, si në rrafshin rrugor dhe në rrafshin e mirëmbajtjes, në atë hekurudhor edhe telekomunikativ. Në Korridorin 8 po ashtu s’ka lidhje energjetike, s’ka lidhje hekurudhore. /Telegrafi/