LAJMI I FUNDIT:

KESH blen 3.3 milionë euro energji

KESH blen 3.3 milionë euro energji

Ditët e lavdishme të KESH-it, kur siguronte miliarda lekë të ardhura nga shitja e energjisë, si për arkën e vet, ashtu dhe për buxhetin e shtetit, duket se kanë përfunduar. Mungesa e reshjeve, kryesisht në veri të vendit, ku janë të pozicionuar tre hidrocentralet më të mëdhenj, ka shkaktuar uljen e prodhimit energjetik, duke e vendosur KESH-in në situatë emergjente.

Prodhimi prej 7.5 milionë kilovat nuk garanton nevojën për energji, që është rreth 18 milionë kilovat, aq sa detyron KESH-in ta sigurojë diferencën nga jashtë përmes importeve.

Tenderët e zhvilluar për muajin prill kanë bërë të mundur kontraktimin e rreth 62 milionë kilovatëve energji elektrike, me kosto 3.3 milionë euro, sipas çmimeve që ofrojnë aktualisht bursat. Lajmi u dha në fillim nga portali “energjia.al”, e më pas u konfirmua nga vet KESH, e cila kishte publikuar ofertën e tenderit për blerjen energjisë. Kompanitë që u shpallën fituese ishin katër, ku CEZ dhe sllovenët e GEN-I ofruan sasinë më të madhe.

“Situata paraqitet disi kritike. Të paktën që prej fundit të dhjetorit, në veri, ku shtrihet Fierza nuk ka pasur reshje. Niveli i liqenit ka zbritur në 276 metra mbi nivelin e detit, nga 287 që ishte në dhjetor”, deklaron për “Shqip”, drejtori i KESH-it. /Telegrafi/