LAJMI I FUNDIT:

Kroaci, Së shpejti privatizohet INA

Kroaci, Së shpejti privatizohet INA

Kryeministrja kroate, Jadranka Kosor, njoftoi se Kroacia nuk do të lejojë që një kompani të mbajë shumicën e aksioneve në kompaninë kombëtare të naftës dhe gazit, INA.

Kosor tha se qeveria do të propozojë amendamente në ligjin që rregullon privatizimin e INA-s, për të siguruar që askush të mos marrë më shumë se 49 për qind të aksioneve të tij. “Disa amendamente do të miratohen dhe është thelbësore që ne kemi vendosur që askush nuk do të jetë në gjendje të ketë më shumë se 49 për qind të aksioneve të INA-s”, tha Kosor.

Aksioneri i vetëm më i madh i INA-s është kompania hungareze MOL, me 47.26 për qind të aksioneve, ndërsa qeveria kroate zotëron 44.84 për qind.

Agjencia Kroate për Mbikëqyrjen e Shërbimeve Financiare, “Hanfa”, pezulloi para pak ditësh tregtimin e aksioneve të INA-s në bursën e Zagrebit. Agjencia tha se nga monitorimet në tregtimet e INA-s kishte konstatuar tregtime domethënëse nga investitorët e huaj, ndaj u kishte kërkuar rregullatorëve të huaj për informacion të domosdoshëm, në mënyrë që të siguronte tregtime transparente, të mbronte investitorët dhe të siguronte tregtime të rregullta dhe të zakonshme në tregun e kapitaleve. /Telegrafi/