LAJMI I FUNDIT:

Raporti i audutimit në gusht i dorëzohet Kuvendit

Raporti i audutimit në gusht i dorëzohet Kuvendit

Në mbledhjen e së martës të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, u diskutua rreth prioriteteve të auditimit, të cilat para anëtarëve të komisionit i prezantoi Auditori Gjeneral, Lars Lage Olofsson.

Gjatë këtij takimi Olofsson prezantoi planifikimin e punës së Zyrës së Auditorit Gjeneral duke sqaruar fillimisht se Korniza Afatmesme e Shpenzimeve është dërguar në Qeverinë e Kosovës, e cila pritet të prezantohet në Kuvendin e Kosovës gjatë muajit prill. Ndërkaq, më 30 prill Olofsson sqaroi se do të përfundojë edhe raporti vjetor i performancës. Në këtë raport prezantohet puna e ZAGJ-it për vitin 2010 dhe planet e vitit 2011.

Ai tha se janë përfunduar edhe kontrollet shëndetësore të 34 institucioneve të pavarura, ndërsa ka theksuar faktin se dy auditime tjera kanë filluar para më se dy muajsh. Fjala është për Komisionin Qendror Zgjedhor, si dhe Ministrinë e Integrimeve Evropiane. “Jemi në fazën finale të këtyre raporteve, të cilat do të përfundojnë deri në muajin qershor”, tha Olofsson duke shtuar se në muajin gusht do të dorëzohet në Kuvendin e Kosovës edhe Raporti Vjetor i Auditimit.

Olofsson ka treguar se aktualisht janë 80-90 auditime të cilat janë duke u kryer. “Kemi të drejtën që të kryejmë edhe auditime tjera shtesë jashtë Buxhetit të Kosovës, veçanërisht në ndërmarrjet shoqërore”, tha ai.


Me këtë rast anëtarët e komisionit shprehen shqetësimin e tyre rreth shpenzimit të parasë publike, duke theksuar se në këtë aspekt Kosova është në një gjendje kritike, duke u bazuar edhe në të dhënat e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, për dy vitet e kaluara. Prandaj kërkuan nga ZAGJ-i që të bëhen kontrolle më të thella rreth shpenzimit të parasë publike nëpër të gjitha institucionet vendore, si dhe në Ndërmarrjet Publike. /Telegrafi/