LAJMI I FUNDIT:

Feith favorizon Gërgurin për guvernator

Feith favorizon Gërgurin për guvernator

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Piter Feith, nuk ka mundur të qëndrojë neutral sa i përket përzgjedhjes së kandidatit për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës(BQK).

Feith preferon që pozitën guvernatorit ta marrë Gani Gërguri, i cili prej korrikut të vitit të kaluar, kur është arrestuar ish-guvernatori, Hashim Rexhepi, është ushtrues detyre i guvernatorit.

Sipas një letre të cilën Feith ia ka dërguar më 10 mars 2011 komisionit për përzgjedhjen e guvernatorit, të cilën ka arritur ta sigurojë gazeta “Zëri”, thuhet se Gani Gërguri është kandidati dukshëm më i kualifikuar dhe më i dëshiruar për postin e guvernatorit të BQK-së. “Do të doja të ritheksoja se gjatë konsultimeve me aktorë të tjerë relevantë, unë plotësisht mbështes mendimin tuaj se nga kandidatët e përshtatur për pozitë të guvernatorit, të mbetur në listën e ngushtë, Gani Gërguri është kandidati dukshëm më i kualifikuar dhe më i dëshiruar për postin e guverntarorit të BQK-së”, thuhet në letrën e Feith.

Shefi i ICO-së po ashtu i ka sugjeruar anëtarëve të këtij komisionit që të vazhdojnë këtë proces me shpejtësi, në mënyrë që, siç ka thënë ai, lista e kandidatëve të përzgjedhur në garën për guvernator të dërgohet sa më shpejtë që është e mundur në Kuvend dhe procesi i nominimit të përfundojë pas 45 ditësh.


Këtë edhe e kanë bërë komisioni për përzgjedhjen e guvernatorit, ku më 16 mars 2011 e kanë dërguar listën e ngushtë të kandidatëve në Kuvend.

Piter Feith duhet ta japë pëlqimin për emërimin e guvernatorit të BQK-së, e cila kompetencë parashihet në nenin 2.2 d Aneksi IX për Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës i 26 marsit 2007.

Ai po ashtu ka vendosur për skualifikimin nga gara për guvernator të Gazmend Lubotenit, i cili ka qenë në rreth të ngushtë të kandidatëve me Gani Gërgurin dhe Safet Merovcin. Luboteni qe disa vjet është në krye të Bordit të Drejtorëve të Bankës Qendrore të Kosovës.

Sipas letrës së Feithit, kandidati Gazmend Luboteni nuk i plotëson kushtet formale për t’u emëruar në bazë të nenit 18.6 të Ligjit të mëparshëm për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës nr. 03/L-074 dhe nenit 38.1 të Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës nr. 03/L-209 që parasheh, se anëtari i Bordit nuk mund të shërbejë më shumë se një periudhë të përgjithshme maksimale prej 10 vjetësh në Bordin e Bankës Qendrore.

Në anën tjetër, burime nga komisioni për përzgjedhjen e guvernatorit thonë se Luboteni ka pasur të drejtë të konkurrojë për guvernator të BQK-së dhe kjo nuk është në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Tashmë deputetëve të Kuvendit të Kosovës u mbetet që për guvernator ta përzgjedhin Gani Gërgurin, apo Safet Merovcin, ndërsa nëse asnjëri prej tyre nuk e merr besimin e shumicës së ligjvënësve, atëherë konkursi për guvernator duhet të përsëritet. /Zëri/Telegrafi/