LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Buxheti nuk garanton stabilitet financiar

Mustafa: Buxheti nuk garanton stabilitet financiar

Miratimi në parim i projekt buxhetit për vitin 2011 në formën siç e ka paraqitur qeveria, është kritikuar nga partitë më të mëdha opozitare. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se projekt buxheti nuk garanton stabilitet financiar për Kosovën dhe kjo ka qenë arsye që deputetët e kësaj partie votuan kundër. Sipas tij është pak e besueshme që të realizohen të hyrat në buxhet ashtu siç ka planifikuar qeveria.

“Mendoj se si Kosovë dje kemi treguar papërgjegjësi pasi kemi miratuar një buxhet që nuk i garanton stabilitet financiar Kosovës por edhe një buxhet që na fut në konflikt me institucionet e rëndësishme ndërkombëtare financiare”, tha Mustafa.

Projekt buxheti që u miratua në parim mori 67 vota për përfshirë edhe votat e deputetëve të AAK-së, ndërsa kundër kanë votuar LDK dhe VV.

Deputeti i AAK-së, Ramiz Kelmendi, në emisionin Subvencion të RTK-së tha se e kanë votuar në parim projekt-buxhetin me kushtin që në të përfshihen edhe sugjerimet e AAK-së përfshirë këtu edhe heqjen e nenit 4 që parasheh privatizimin e PTK-së.


Gjatë debatit të djeshëm në parlament zyrtarë të qeverisë kanë thënë se vetëm do ta modifikojnë nenin 4 të buxhetit por nuk do ta heqin në tërësi. Por sipas kreut të LDK-së, përveç nenit 4 buxheti ka edhe të meta tjera. /rtk/telegrafi/