LAJMI I FUNDIT:

Serbia dikton çmimin e bukës

Serbia dikton çmimin e bukës

Çmimi i bukës në Kosovë vazhdon të ngrihet dita ditës, pasi që pjesa dërmuese e grurit, e cila konsumohet në vendin tonë, hyn nga Serbia me çmim më të lartë se në shtete tjera. Importi i madh i grurit, por edhe miellit ka bërë që Serbia edhe më tej ta diktojë çmimin e bukës në Kosovë.

Deri më tash tregtarët, por as mullisët, nuk janë munduar të gjejnë treg më të gjerë të grurit, e ku si pasojë qytetaret e Kosovës po e paguajnë bukën me çmim më të lartë se në shtete të zhvilluara të BE-së, por edhe më gjerë, shkruan Zëri.

Muhamet Farizi, drejtor i Shoqatës së Mulliujëseve të Kosovës, ka thënë se deri më tash pjesa dërmuese e grurit që është bluar nëpër mullinjtë e Kosovës ka ardhur nga Serbia. Sipas tij, në një farë mënyre Serbia e ka diktuar çmimin e bukës në Kosovë.

Pas shtrenjtimit të grurit edhe në Serbi tregtarët janë munduar të gjejnë tregje tjera më të lira, ndërsa dobësitë brenda Kosovës gjithmonë i ka shfrytëzuar Serbia për ta zgjeruar tregun.


Halit Xoxa, kryetar i Shoqatës së Bukëpjekësve të Kosovës, ka thënë se Serbia e dikton çmimin e bukës në Kosovë ngase mbi 80 për qind e grurit e miellit që konsumohet në Kosovë hyn nga ky shtet. Sipas tij, tradicionalisht tregtarët kosovarë kanë importuar miell e grurë nga Serbia për shkak të afërsisë dhe çmimit. Xoxa ka thënë se ka indikacione që çmimi i bukës të ngrihet edhe më tej për shkak të mungesës së grurit në Serbi, por edhe në shtete tjera të rajonit.

Ekspertë të ekonomisë thonë se krijimi i rezervave shtetërore është hap i domosdoshëm i Qeverisë së Kosovës për t’i mbrojtur qytetarët. Halim Gjergjizi, njohës i mirë i ekonomisë, ka thënë se Kosova vazhdon të përballet me probleme të tilla pasi që Qeveria e Kosovës e ka injoruar sektorin e bujqësisë në vend. Sipas tij, mbi 80 për qind e grurit dhe miellit importohet nga Serbia, ndërkaq një pjesë fare e vogël prodhohet në arat e Kosovës. /Telegrafi/