LAJMI I FUNDIT:

Pacolli kërkon kapërcim barrierash ekonomike

Pacolli kërkon kapërcim barrierash ekonomike

Presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli tha në Shkup se Maqedonia dhe Kosova duhet të angazhohen me seriozitet për kapërcimin e të gjitha barrierave në bashkëpunimin ekonomik. Këto komente ai i bërë, në forumin e biznesit Maqedoni-Kosovë.

Presidenti Pacolli, para biznesmenëve maqedonas dhe atyre kosovarë, tha se tregu më i mirë është tregu, i cili është më afër. Andaj, sipas tij, bashkëpunimi mes dy vendeve është i domosdoshëm, duke pasur parasysh “kapacitetin e ulët tregtar brenda këtyre shteteve”.

Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Fatmir Besimi, vlerësoi se Kosova është shumë e rëndësishme për shtetin maqedonas, andaj dhe “qeveria e vendit ka intensifikuar një varg aktivitetesh për ta lehtësuar bashkëpunimin mes dy vendeve fqinje, përfshirë këtu përmirësimin e infrastrukturës dhe ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë”.

“Forumi i sotëm, i organizuar mes biznesmenëve të Kosovës dhe Maqedonisë, është në kuadër të vizitës zyrtare të presidentit kosovar, Behxhet Pacolli. Rëndësia e këtij takimi është që bashkëpunimi i deritanishëm, i shkëlqyer në politikë, të jetë i qëndrueshëm, me një përcjellje adekuate edhe në fushën e ekonomisë”, tha Besimi.


Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, tha se Kosova ka eliminuar barrierat që kanë të bëjnë me importin. Sipas tij, një gjë të tillë s’e ka bërë ende Maqedonia kundrejt biznesit kosovar. Ai me këtë rast apostrofoi debalancën e këmbimit tregtar mes dy vendeve.

“Vetë fakti se ne kemi mbi 400 milionë euro import të produkteve nga Maqedonia, kurse si Kosovë kemi eksport mbi 20 milionë euro në Maqedoni, tregon se diçka nuk është në rregull. Kjo tregon se dy vendet kanë nevojë të ulen dhe të bisedojnë se cilat janë pengesat që pamundësojnë depërtimin e produkteve kosovare në tregun e Maqedonisë”, tha Shahini.

“Një nga barrierat është burokracia kufitare, mospranimi i certifikatave sa i përket origjinës, të cilat tanimë janë rregulluar me marrëveshjen CEFTA. Ka dhe shumë gjëra të tjera, të cilat më shumë janë joformale, jotarifore sesa tarifore, sepse infrastruktura e të dyja vendeve është duke avancuar të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian”, u shpreh Shahini.

Presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli, gjatë ditës së dytë në Maqedoni do të qëndrojë në Tetovë, ku do të pritet nga kryetari i kësaj komune, Sadi Bexheti. Në kuadër të qëndrimit në Tetovë, presidenti kosovar do të vizitojë edhe kompaninë “Ecolog”, duke realizuar takim me pronarin e saj, Lazim Destani. /Rel/Telegrafi/