LAJMI I FUNDIT:

KEK më 2010 shpenzoi për import 39 milionë euro

KEK më 2010 shpenzoi për import 39 milionë euro

Gjatë vitit 2010, importi i energjisë elektrike ka shënuar rritje për 6.6 për qind. Gjithsej për import janë shpenzuar 39 milionë euro. KEK-u këtë e arsyeton me rritjen e konsumit bruto në vend. Edhe sivjet për import planifikohet të shpenzohen 33.5 milionë euro.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) vazhdon të furnizojë konsumatorët në saje të importit të energjisë elektrike. Përderisa për blerjen e energjisë po shpenzohen miliona euro nga viti në vit, prodhimi i energjisë në vend nuk ka shënuar rritje gjatë vitit të kaluar, përkundër investimeve milionëshe që po bëhen në blloqet e KEK-ut.

Statistikat tregojnë se importi i energjisë elektrike është rritur për 13.8 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2010, krahasuar me tremujorin e tretë. Ndërsa importi i energjisë gjatë tërë vitit ka arritur në 818.4 gigavat për orë energji elektrike, e që ka shënuar rritje për 6.6 për qind më shumë në vitin 2009, shkruan Express.

Përkthyer në shifra, importi i rrymës për vitin 2010, Korporatës Energjetike të Kosovës i ka kushtuar rreth 39 milionë euro.


Sipas zyrtarëve të kësaj korporate, rritja e importit është bërë për shkak të rritjes së konsumit bruto në vend.

Në raportin e fundit të Entit të Statistikave të Kosovës, thuhet se në muajt e fundit të vitit të kaluar është rritur sasia e importuar. “Në tremujorin e katërt të vitit 2010 janë importuar 212.2 gigavat për orë energji elektrike. Kjo në raport me tremujorin e tretë këtij viti ka shënuar rritje të importit për 13.8 për qind”, thuhet në publikimin e ESK-së. /Telegrafi/