LAJMI I FUNDIT:

Vreshtarët e Rahovecit në protesta

Vreshtarët e Rahovecit në protesta

Marrëveshja e arritur mes Qeverisë së Kosovës dhe Shoqatës së Vreshtarëve të Rahovecit për subvencionimin e sipërfaqeve të mbjella me varietetet e rrushit për përpunimin e verës në vitin e kaluar, si duket do ketë telashe. Edhe pse faza e parë ka përfunduar, Qeveria kishte premtuar se faza e dytë do përfundoj në tremujorin e parë të këtij viti dhe si duket vreshtarët janë të shqetësuar për mospërmbushje të këtij premtimi dhe paralajmërojnë protesta.

Kryetari i Shoqatës së vreshtarëve të Rahovecit, Labinot Shulina, tha se ka mbetur edhe një javë deri te përfundimi i afatit për subvencionimin e fazës së dytë dhe nuk ka asnjë përgjigje nga ana e Qeverisë.

“Ne do kërkojmë nga qeveria të ulemi e të bisedojmë dhe nëse ende vazhdon kështu jemi të detyruar të dalim dhe të protestojmë”, tha Shulina. Sipas tij, ka katër javë që presin edhe nga Kryetari i Komunës së Rahovecit një takim por ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje dhe siç shprehet ai edhe këtë vit do ti përcjellë e njëjta situatë si vitin e kaluar, raporton portali Qendra.

Ndërsa Shani Mullaabazi, Menaxher kryesor i Bodrumit te Rahovecit është më optimist se sa ka Kosova qasje të barabartë në tregjet ndërkombëtare aq jemi ne të suksesshëm në shitjen e produkteve tona të rrushit. “Ne jemi duke eksportuar në 14 shtete dhe kemi hapur disa tregje te reja si në Danimarkë, Nigeri, së shpejti në Turqi dhe SHBA. Mirëpo eksporti është mjaft i vështirë për shkak të gjendjes dhe pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha Mullaabazi.


Ai beson se këtë vit nuk do të përsëritet ajo çka ndodhi vitin e kaluar dhe shpreson që qeveria do I përmbush marrëveshjen me bujqit. Por, zyrtarë nga Ministria e Bujqësisë thonë se arsyeja që faza e dytë nuk ka filluar është mosmiratimi i buxhetit.

“Pjesa e dytë e mbetur, që do të jetë përafërsisht e njëjtë me të parën, sipas marrëveshjes është dashur të realizohet gjatë tremujorit të parë të vitit 2011, mirëpo si pasojë e mosmiratimit të buxhetit, ende nuk ka filluar. Sapo të bëhet miratimi i buxhetit do të fillojmë me ekzekutimin e pagesave për pjesën e dytë”, tha zyrtari për informim në MBPZHR-së, Adil Behramaj.

Sipas tij, këtë vit, në zgjerimin e sipërfaqeve dhe në modernizimin e pajisjeve kultivuese, MBPZHR-ja nëpërmjet granteve të veta investive do t’i përkrahë vetëm vreshtarët që kultivojnë varitetet e rrushit të tryezës.

Behramaj, ka treguar se pjesa e parë në vlerë prej 500 eurove për një hektarë është realizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe sipas të dhënave të Entit të Vreshtarisë dhe Verërave, përfitues të deritanishëm janë gjithsej 2690 vreshtarë. Shprehur në sipërfaqe, janë subvencionuar gjithsej 1450 hektarë dhe vlera e deritanishme e projektit është 725 mijë euro. /Telegrafi/