LAJMI I FUNDIT:

PTK-ja për “bakshishe” mbi pesë milionë euro

PTK-ja për “bakshishe” mbi pesë milionë euro

Menaxherët e korporatës publike të telekomunikimeve, përveç pagave të majme që marrin, shpërblehen nga dy herë në vit edhe me bonuse, vlera e të cilave për një zyrtar të lartë shkon në mijëra euro. Postë-Telekomi i Kosovës në shpërndarjen e bonuseve për punonjësit e saj ka shpenzuar mbi pesë milionë euro që nga viti 2007, kur ka nisur dhënia e “bakshisheve” për ta.

Raporti financiar i PTK-së për vitin 2008 përshkruan se këtë vit vetëm në shpërndarjen e bonuseve ishin shpenzuar 2 milionë e 700 mijë euro.

Nga kjo shumë 1.2 milion euro ishin bonuse që ishin dashur të shpërndaheshin në vitin 2007, por që janë dhënë në vitin 2008. Përveç bonuseve, raporti financiar i vitit 2008 përshkruan se gjatë atij viti ishin dhënë 109 mijë euro si kompensime për drejtorët e shefat ekzekutivë të ndërmarrjes së Postë-Telekomit. Po në këtë raport specifikohet se një vit më herët, më 2007, për të njëjtën gjë ishin shpenzuar 111 mijë euro, shkruan Koha Ditore.

Ndërkaq, në vitin 2009 korporata e Postë-Telekomit për bonuse të punëtorëve shpenzoi një shumë prej 1 milion e 800 mijë eurosh. Kjo korporatë ende nuk e ka të përfunduar raportin financiar për vitin 2010 por, sipas kryeshefit ekzekutiv të saj, Shyqyri Haxha, pasi që ka vazhduar rritja e afarizmit të ndërmarrjes edhe vlera totale e bonuseve duhet të sillet atypari si në vitin 2009. /Telegrafi/