LAJMI I FUNDIT:

Austria dhe Turqia rikonfirmojnë bashkëpunimin ekonomik

Austria dhe Turqia rikonfirmojnë bashkëpunimin ekonomik

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj ka marrë rikonfirmimin nga diplomatët austriak dhe turk në Kosovë për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik me theks të veçantë në fushat që mbulohen nga MZHE.

Këto premtime ministri Beqaj i mori në takimet e ndara që zhvilloi sot me Ambasadorin e Austrisë Johann Brieger dhe ambasadoren e Turqisë Songul Ozan, të cilët shprehën gatishmërinë e vendeve të tyre për të vazhduar bashkëpunimin me Kosovën.

Pas takimit me ambasadorin austriak Brieger, ministri Beqaj tha se partneriteti i Kosovës me Austrinë ka qenë partneritet i të gjitha formave të bashkëpunimit si ekonomik, shkencor dhe politik.

“Austria ka qenë dhe është shumë aktive në ekonomi. Mendoj që me ndryshimet e bëra kohëve të fundit dhe me legjislacionin që është duke u bërë së fundi, po hapen më shumë mundësi të angazhimit të ekonomisë austriake në Kosovë”, tha Beqaj.


Ambasadori Brieger theksoi se Austria është në shumë fusha aktive, jo vetëm në ekonomi, por edhe në arsim dhe fusha tjera, duke shtuar se ekonomia dhe rinia janë faktor kyç për zhvillimin e një vendi.

“Ne si Austri jemi prezent me disa investime, po natyrisht jemi të interesuar të jemi edhe më prezent. Sot patëm mundësi t’i iniciojmë disa ide dhe jam shumë i interesuar që edhe në të ardhmen t’i vazhdojmë ato dhe të kemi propozime konkrete”, tha diplomati austriak.

Ndërkaq, ambasadorja e Turqisë në Prishtinë Songul Ozan tha se Ankaraja është e interesuar të vazhdojë bashkëpunimin me Republikën e Kosovës, duke vlerësuar lartë bashkëpunimin e deritashëm mes dy vendeve në të gjitha fushat. /Telegrafi/