LAJMI I FUNDIT:

Eksport në të zezën

Eksport në të zezën

Tregtarët kosovarë po eksportojnë patate në Serbi e Bosnje në të zezën. Kryesisht kjo po bëhet përmes dokumenteve të Mitrovicës veriore. Një kilogram patate për tregtarët në Serbi shitet 30 deri në 40 centë. Këto dy vende s’i pranojnë mallrat “Made in Kosova”.

Pavarësisht se Serbia e Bosnja nuk i pranojnë prodhimet “Made in Kosova”, për tregtarët kosovarë të patates kjo nuk paraqet kurrfarë problemi.

Ata po e eksportojnë këtë produkt në këto vende në të zezën dhe atë me çmime shumë të lira. E gjithë kjo për shkak se Shqipëria vendosi tarifa doganore dhe tregu i brendshëm është “ngopur” me patate, shkruan Express.

Bedri Kasumi, pronar i kompanisë për prodhimin e patates “Pestova”, thotë se e gjithë kjo sasi e patates që po eksportohet për Serbi po bëhet në të zezën. “Ky nuk është eksport i rregullt. Serbia e Bosnja nuk i njeh prodhimet tona”, theksoi Kasumi.


Sipas tij, për t’u njohur si eksport, duhet fillimisht dokumentacioni, që në rastin konkret është certifikata e origjinës së produktit. E meqenëse Serbia nuk i pranon produktet kosovare, sipas tij, kjo është e pamundur.

Ai tregon se gjatë vitit 2009 kanë pasur me mijëra tonë patate të prashitura, ndërsa gjatë vitit të kaluar thotë se janë dëmtuar me humbjen e tregut të Shqipërisë. “Kosova ka 40 deri në 50 mijë tonë patate për eksport, e nëse marrim vlerën e referencës që i është shtuar, atëherë prodhuesit kosovarë i bie që kanë humbur me miliona euro nga pamundësia e eksportit gjatë vitit të kaluar”, tha Kasumi. /Telegrafi/