LAJMI I FUNDIT:

Hetohet ART-ja

Hetohet ART-ja

Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit (ART) do të përballet me organet e hetuesisë. Gjoba prej 30 mijë eurosh dhe largimi i një zyrtari nga puna nuk do ta pastrojnë atë dhe shefin e saj Ekrem Hoxhën, nga shkeljet ligjore që bëri kur ia dha tenderin “Qendra Nacionale e Monitorimit të Radio Spektrit” një kompanie nga Shqipëria.

Lidhur me këtë rast tash kanë nisur edhe hetimet. Fillimisht nga Njësia e Hetuesisë së Policisë së Kosovës dhe e përfshirë në hetime mësohet se është edhe Eulex-i, raporton Express.

Nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit pranojnë se për këtë rast është larguar nga puna një zyrtar dhe se të gjitha tjerat u lihen për hetime organeve të drejtësisë.

Ekrem Hoxha, kryetar i ART-së, thotë se largimi i këtij zyrtari lidhet me rastin e fundit kur u shkel ligji. Ai thotë të mos ketë qenë në dijeni për aktivitetin joligjore brenda institucionit që e drejton. “Ai e ka dëmtuar imazhin e ART-së. Ka marrë një vendim në kundërshtim me Ligjin e prokurimit”, ka thënë Hoxha, duke iu referuar zyrtarit që e ka larguar nga puna.


Për më tepër, Hoxha pranon se mund të ketë hetime për këtë rast. “Ia lëmë organeve të hetuesisë për të tjerat”, ka thënë ai.

Megjithatë, krejt ndryshe thuhet në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, me të cilin e dënoi 30 mijë euro ART-në për shkelje ligjore. Ky organ në vendimin e tij tregon se zyrtari i larguar nga puna është pajtuar me anulimin e tenderit.

“ART me veprimet e ndërmarra lidhur me ndërprerjen e marrëdhënies se punës se zyrtarit të prokurimit ka shkelur nenin 118.1 dhe 118.2 të LPP-së, pasi zyrtari i prokurimit ka respektuar vendimin e OSHP-së mbi anulimin e njoftimit për dhënie të kontratës”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Për më tepër, përmes këtij vendimi, OSHP shpjegon se ART-ja edhe ka kërcënuar, duke e paralajmëruar këtë organ se nuk do të respektojë asnjë vendim të tyre dhe se do ta lidhë kontratën me operatorin nga Shqipëria. /Telegrafi/