LAJMI I FUNDIT:

Prioritet për BE-në bashkëpunimi rajonal

Prioritet për BE-në bashkëpunimi rajonal

Menaxhmenti i OEK-ut e ka pritur të enjten shefin e ICO-së, me ç’rast kanë diskutuar lidhur me temat që kanë të bëjnë me zhvillimin socio-ekonomik në Kosovë. Në këtë rast Feith i ka bërë thirrje ekzekutivit të vendit që të ofrojë kushte më të mirë për komunitetin e biznesit që të zhvillohet edhe më shumë, sepse kjo është forma më e mirë për zhvillimin ekonomik.

Shefi i ICO-së Peter Feith, tha se për Bashkimin Evropian bashkëpunimi rajonal është prioritet. “Do t’i bëjë thirrje Qeverisë që të marrë të gjitha masat që t’ia mundësoj, t’ia ofrojë të gjitha kushtet komunitetit të biznesit që të lulëzoj dhe të zhvillohet edhe më tej. Mund të konfirmoj zotëri kryetar se për Bashkimin Evropian bashkëpunimi rajonal është prioritet”, theksoi Feith.

Sipas tij, Bashkimi Evropian do të punoj edhe më shumë në liberalizimin e masave tregtare me vendin tonë dhe që Kosova të ketë pozicionin e benifitet e merituara në mekanizmin e CEFTA-s.

Nga ana tjetër kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, tha se është biseduar për shumë çështje, por njëra nga to ka qenë që prodhimeve kosovare t’u kthehen preferencat tregtare.


“Biseduam për shumë çështje të rëndësive të veçanta dhe ajo çka është më e rëndësishme gatishmëria e zotëri Feith për të përkrahur proceset pozitive në Kosovë. Në rend të parë përkrahje të pafund që preferencat e hequra për prodhimet kosovare të fitojnë të drejtën sa më shpejt që është e mundur të gjejnë veten në tregun evropian”, tha Gërxhaliu.

Në këtë rast, kryetari i OEK-ut theksoi edhe faktin se një shtet nuk mund të jetojë vetëm nga politika dhe politikanët e mirë, por do të jetojë dhe do të ketë ardhmëri nga zhvillimi ekonomik dhe perspektiva ekonomike. /Telegrafi/