LAJMI I FUNDIT:

Programet publike u ndihmojnë familjeve t’i shpëtojnë krizës

Programet publike u ndihmojnë familjeve t’i shpëtojnë krizës

Reagimet nga qeveritë kanë ndihmuar shumë familje në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore për t’i bërë ballë krizës ekonomike globale përmes një varg nismash, përfshirë edhe beneficione për të papunët, programe publike të punës dhe në disa raste, si mjet i fundit, edhe programe të asistencës sociale, thekson një raport i ri i Bankës Botërore i publikuar sot në Uashington. Megjithatë, këto nisma, kanë mbuluar vetëm një pjesë të vogël të familjeve të prekura nga kriza.

Bazuar në studimet dhe të dhënat monitoruese nga qeveritë mbi reagimet e specializuara ndaj krizës, raporti, ‘Kriza e vendeve të punës: Ekonomitë familjare dhe reagimet qeveritare ndaj recesionit të madh në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore,” gjen se efektet e krizës ishin dhe vazhdojnë të jenë më akute në vendet e Evropës Lindore dhe të Azisë Qendrore se sa në çdo rajon tjetër të botës.

Ndonëse e shkaktuar nga tregjet e tendosura të kredive, kriza ka shkaktuar tronditje masive edhe në tregun e punës në këtë rajon. Papunësia e regjistruar në 27 vende të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore u rrit nga 9.4 në 12.2 milionë nga dhjetori i vitit 2008 në dhjetorin e vitit 2009. Në Rusi, Turqi dhe Ukrainë, papunësia u rrit për afër 30 për qind nga viti 2008 në vitin 2009.

Papunësia në mesin e të rinjve po ashtu u rrit me shpejtësi të madhe, me më se një të tretën e të rinjve që nuk mund të gjenin punë në disa vende. Punëtorët që mbajtën vendet e tyre të punës fitonin më pak me që punëdhënësit u ofronin pagesa më të vogla për orë të punës ose u ofronin më pak orë pune. Benificionet e tjera të punës ose reduktoheshin ose hiqeshin fare.


Këto efekte u ndjenë më shumë tek ekonomitë më të varfra familjare të cilat shpesh nuk kishin kursimet e nevojshme për të zbutur ndikimin e krizës. Si pasojë, mirëqenia e familjeve u kërcënua me që familjet blinin më pak ushqime dhe më të lira. Shpenzimet e familjeve për përkujdesje shëndetësore po ashtu u zvogëluan me të madhe. Familjet e prekura nga kriza në Armeni, Bullgari dhe Mal të Zi, i reduktuan vizitat parandaluese dhe vizitat e tjera te mjeku në masë të madhe.

“Përderisa shpenzimet private për ushqime dhe shëndetësi u reduktuan në shumë raste, familjet benë çmos dhe shpesh ia dolën që të mbrojnë vijueshmërinë e fëmijëve të tyre në shkolla dhe të mbulojnë shpenzimet përcjellëse”, thotë M. Ihsan Ajwad, ekonomist i Lartë i Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore dhe autor kryesor i raportit.

Raporti po ashtu vë në pah nevojën për disiplinë fiskale gjatë kohërave të mira dhe sisteme të besueshme në kohën e duhur të monitorimeve për të mundësuar një reagim efikas dhe fleksibil ndaj krizës. /Telegrafi/