LAJMI I FUNDIT:

BE pesë milionë euro për përpunimin e qumështit, mishit, pemëve dhe perimeve

BE pesë milionë euro për përpunimin e qumështit, mishit, pemëve dhe perimeve

Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian, të hënën prezantoi skemën e granteve rurale që do të financohen nga BE-sa për zhvillimin rural dhe sektorin e bujqësisë. Bashkimi Evropian gjatë këtij viti do të kontribuojë me pesë milionë euro në më shumë se 13 projekte, të cilat merren me përpunimin e qumështit, mishit, pemëve dhe perimeve.

Ministri i Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Blerand Stavileci, tha se zhvillimet e deritashme për krijimin dhe forcimin e kapaciteteve administrative dhe zhvillimore janë ndjekur dhe mbështetur në mënyrë aktive nga Komisioni Evropian dhe këto zhvillime kanë ridimensionuar edhe mbështetjen e donatorëve me prioritet zhvillimin e kapaciteteve tregtare dhe prodhuese, për të bërë të mundur jo vetëm nxitjen e zhvillimit të reformave legjislative, por edhe arritjen e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm, të vazhdueshëm dhe afatgjatë.

“Etapa zhvillimore nëpër të cilën po kalojmë si vend është përplot me diversitete, por rrugëtimi ynë, përveç që është i mbështetur në mundësitë që ofrojnë segmentet strukturore ekonomike, të tilla çfarë i kemi pranë, nëpër fshatra dhe rajone të ndryshme, mbështetet edhe në strategji konceptuale të linjëzuara me politikat e BE-së dhe në këtë sens, të gjitha politikat zhvillimore dhe strategjike të Ministrisë së Bujqësisë, duke përfshirë format, masat dhe gjitha instrumentet, janë të orientuara në mbështetje të faktorëve të prodhimit për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm”, tha ministri Stavileci.

Drejtori i Operacioneve në Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Kjartan Björnsson, shpjegoi se këto grante do të ndihmojnë në përmirësimin e përpunimit dhe marketingut, në ngritjen e standardeve higjenike, në ngritjen e cilësisë dhe rritjen e sigurisë së ushqimit.


“Kjo do të rezultojë me konkurrueshmëri më të lartë në sektorin e bujqësisë, si dhe në rritjen e besimit të konsumatorëve për prodhimet vendore”, theksoi Björnsson.

Bashkimi Evropian që nga viti 1999 ka akorduar rreth 70 milionë euro për bujqësi dhe zhvillim rural në Kosovë dhe kjo skemë e granteve rurale të BE-së është pjesë e një programi ekstensiv për ngritjen e standardit jetësor në zonat rurale. /Telegrafi/