LAJMI I FUNDIT:

Kundër administratorit për Trepçën

Kundër administratorit për Trepçën

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), menaxhmenti e Sindikata e Trepçës kundërshtojnë vendimin e Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme për vendosjen e një administratori ndërkombëtar për krenarin e dikurshme të Kosovës Trepça.

Ata kanë thënë se zbatimi i ligjeve dhe rregulloreve të UNMIK-ut për ndërmarrjen Trepça do të paraqet goditje të rëndë për gjithë Kosovën.

Kryetari i OEK-ut Safet Gërxhaliu, ka kërkuar nga Kuvendi miratimin urgjent të ligjeve të reja. ”Ju rekomandojmë institucioneve ligjvënëse që me urgjencë të futin në agjendë miratimin e ligjeve themelore, Ligjin për Trepçën që do të zëvendësonte rregulloren 2005/48 të UNMIK-ut, ligjin që do të rregullonte statusin e mbi 4000 pensionistëve të parakohshëm të Trepçës”, tha Gërxhaliu.

Gjithashtu u kërkua nga qeveria që të planifikohet një buxhet shtesë për angazhimin e një kompanie juridike për Trepçën, që do t”i mbronte interesat e ndërmarrjes duke i hedhur poshtë pretendimet e kreditorëve dhe njëkohësisht do të kërkonte dëmshpërblim për dëmet që i ka shkaktuar Trepçës regjimi i Millosheviçit.


Ndërkaq, kryetari i Sindikatës së Trepçës Halil Qela, tha se në asnjë rast nuk do të realizohet vendimi për administrator të huaj në Trepçë.

Në Trepçë momentalisht punojnë rreth 1400 punëtorë. Vendimi i fundit për vendosjen e një administratori ndërkombëtar, vlerësohet si i qëllimshëm për shkatërrimin e Trepçës. /Telegrafi/