LAJMI I FUNDIT:

Dymbëdhjetë kompani në garë për autostradën Tiranë-Elbasan

Dymbëdhjetë kompani në garë për autostradën Tiranë-Elbasan

Ministria e Transporteve në Shqipëri bëri të ditur të enjten çeljen e ofertave ekonomike të tenderit për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan. Në këtë tender, i cili ka hyrë në fazën e tij të dytë morën pjesë 12 kompani prestigjioze nga e gjithë bota.

Në fazën e parë merrnin pjesë 26 kompani të tilla. Vlerësimi i ofertave ekonomike do të bëhet nga ministria e Transporteve brenda një kohe të shkurtër, me qëllim daljen e një vendimi në fazën e tretë të tenderit.

Sipas burimeve nga ministria e Transporteve në tender marrin pjesë kompani prestigjioze gjermane, zvicerane etj, të cilat janë të njohura në ndërtime madhështore, në industrinë e autostradave.

Autostrada Tiranë-Elbasan është një projekt i madhor për Shqipërinë, me një kosto prej 440 milionë euro. Kryeministri Berisha ka lajmëruar më parë se ky ndërtim do të zgjasë 18 muaj dhe pritet të inaugurohet në fillim të vitit 2013.


Për financimin e autostradës, ministria e Financave është duke negociuar me Bankën Islamike të Zhvillimit, për një marrëveshje kredie prej 300 milionë euro. Pjesa tjetër e kostos do të financohet nga kredi me institucionet ndërkombëtare si dhe nga kontributi i qeverisë shqiptare. /Telegrafi/