LAJMI I FUNDIT:

Shqipëri, skadon afati për kasat fiskale

Shqipëri, skadon afati për kasat fiskale

E hëna është afati i fundit për bizneset e vogla që të bëjnë pagesën e blerjes së kasës fiskale dhe ajo të rimbursohet nga shteti. Kasat fiskale duhet të blihen në shoqëritë e autorizuara nga ministria e Financave dhe sipas kontratës përkatëse, biznesit do t'u rimbursohet kjo pagesë deri në shumën 44 mijë lekë, pa TVSH. Rimbursimi, parashikohet nga një vendim i posaçëm marrë në mbledhjen e fundit të qeverisë vitin e kaluar.

Bizneset që gjenden pa kasë do të gjobiten nga 1 milionë lekë gjobë deri në bllokim të aktivitetit, raportoi Balkanweb duke shtuar se tregtarët e zonës tregtare të Medresesë në Tiranë janë shprehur se vendosja e kasave fiskale, në vend që të ndihmojë për implementimin e një konkurrence normale, në fakt po ndikon në falimentimin e tyre.

Ata thonë që shumë prej tyre kanë blerë pajisjet përkatëse fiskale regjistruese, me paratë e tyre, por shprehen se nuk kanë marrë ende asnjë lloj kompensimi apo subvencionimi, që u është premtuar në nivel qeverie.

Nga ana tjetër, nuk mungojnë edhe ata tregtarë të biznesit të vogël, të cilët nuk i kanë vendosur kasat fiskale dhe deklarojnë se nuk do të pajisen me to, pasi e kanë të pamundur që t’i blejnë, në kushtet e mungesës së parave “cash" në kohë krize. /Telegrafi/