LAJMI I FUNDIT:

Pasuria e Gaddafit 150 miliardë dollarë

Pasuria e Gaddafit 150 miliardë dollarë

Liderët opozitarë në Libi vlerësojnë se pasuria e familjes së udhëheqësit të Libisë, Muammar Gaddafit sillet ndërmjet 80 dhe 150 miliardë dollarë amerikanë, transmeton agjencia gjermane DPA.

Depeshet e ambasadës amerikane në Libi, të publikuara në Wikileaks flasin se familja Gaddafi ka hise në shumë sektorë të naftës, gazit, ndërtimtarisë, telekomunikimit dhe të tregtisë, por edhe në medie dhe në shumë hotele.

Tash për tash nuk dihet se sa pasuri ka arritur familja Gaddafi të transferojë jashtë vendit, por thuhet se anëtarë e kësaj familje kanë shumë llogari bankare të hapura në shtetet e Gjirit. Flitet se vetëm njëri djalë i tij, Saif al Islam është pronar i një patundshmërie të pasur në Londër, kurse familja ka në pronësi edhe një qendër tregtare në kryeqytetin britanik.

Pastaj, thuhet se familja Gaddafi ka edhe një vilë në Vjenë, si dhe 7.5 për qind të aksioneve në klubin e futbollit italian Juventus, me vlerë 22.9 milionë euro. /Telegrafi/