LAJMI I FUNDIT:

Nga 1 marsi ulen tarifat për telefoninë celulare

Nga 1 marsi ulen tarifat për telefoninë celulare

Nga 1 mars do të nisë një ulje e re e tarifave me shumicë të telefonisë celulare në Shqipëri, që do të vazhdojë për katër vjet, duke synuar të çojë tarifat drejt kostos efektive.

Sipas burimeve zyrtare nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), ulja e tarifave me shumicë do t’u krijojë operatorëve hapësirën për të konkurruar me tarifa më të ulëta për thirrjet midis rrjeteve të ndryshme.

Gazeta Shqiptare shkruan se për operatorët më të mëdhenj, AMC dhe Vodafone, tarifa, nga 10.5 lekë minuta, do të kalojë, nga data 1 mars, në 8.85 lekë minuta.

Për kompaninë Eagle Mobile, nga 12.92 lekë minuta, që është aktualisht, do të bëhet 10.89 lekë minuta, ndërsa për kompaninë Plus, nga 19.9 lekë minuta, do të bëhet 15.93 lekë minuta. Gjithashtu


ulje do të ketë edhe për SMS-të. Për AMC dhe Vodafone, tarifa e terminimit barazohet me tarifën mesatare në vendet e BE-së në vitin 2009, të publikuar në raportin e 15-të KE, prej 6.7 cent, duke përdorur kursin mesatar të këmbimit prej 132.06 lekë euro për vitin 2009.

AKEP ka vendosur, gjithashtu, t’u kërkojë operatorëve celularë të ulin tarifat me shumicë edhe për mesazhet e shkruara, të cilat sot janë shumë më të larta se kostot. /Telegrafi/