LAJMI I FUNDIT:

AKP: 1343 punëtorë do të marrin 20 përqindëshin

AKP: 1343 punëtorë do të marrin 20 përqindëshin

Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në mbledhjen e fundit ka marrë disa vendime të rëndësishme. Sipas një njoftimi për media Bordi ka marrë vendim që për 1343 punëtorë të katër ndërmarrjeve shoqërore të bëhet shpërndarja e 20 përqindëshit. Po ashtu është vazhduar depozitimi i mjeteve në BQK të cilat aktualisht kapin shumën prej mbi 485 milionë eurove.

Bordi i Drejtorëve të AKP-së ka diskutuar edhe për depozitimin e mjeteve të fondeve të mirëbesimit në BQK, ku deri më tani janë deponuar 485.5 milionë euro, ndërsa norma e interesit llogaritet 2.4 milionë euro, ose 2.1 milionë euro më shumë se më parë.

“Tani për një pjesë të mjeteve, norma e interesit është katërmbëdhjetë herë më e lartë, ku punëtorët, kreditorët potencial dhe ekonomia e Kosovë përfitojnë në përgjithësi. Bordi vendosi që të vazhdohet me deponimin e mjeteve në BQK, duke kërkuar mundësi për norma më të larta të interesit”.

Sipas vendimit më të fundit të Bordit të AKP_së parat që u takojnë do ti marrin punëtorët e ndërmarrjeve “Metal Holding” Janjevë- Prishtinë, për “Fabrikën e Vajit dhe Yndyrave Bimore” – Gjilan “IDGJ” – Gjilan dhe për “NBI” Rahoveci – Prizren. Sipas AKP-së janë 1343 punëtorë që do të përfitojnë nga shuma 20 përqindëshit e shitjes së këtyre katër ndërmarrjeve shoqërore, bazuar në listat e punëtorëve.


“Bordi shqyrtoi vendimin e Odës së Veçantë të Gjykatës Supreme, përmes të cilit janë liruar nga moratoriumi ndërmarrjet: FBI-Pejë, FBNiCd-Gjilan; Famipa-Prizren; Metaliku-Gjakovë, FAPOL-Podujevë, Fabrika e Municionit të Gjuetisë-Skenderaj dhe Fabrika e Ngjyrave Extra-Vushtrri”, thuhet në komunikatë.

Bordi i Drejtorëve shqyrtoi gjendjen në disa ndërmarrje të privatizuara me metodën spin-off special dhe vendosi shqiptimin e gjobave për blerësin e ndërmarrjes “Agrokosova”.

Bordi i Drejtorëve aprovoi edhe Valën e 49 të privatizimit, në të cilën janë vendosur për shitje 12 ndërmarrje të reja. Për ndërmarrjen shoqërore “Famipa”, Bordi vendosi kushte në tender, me qëllim të ruajtjes së vazhdimësisë së veprimtarisë së kësaj ndërmarrjeje.

Po ashtu, gjatë kësaj mbledhjeje, aprovoi Raportin Tremujor për Kuvendin e Kosovës për periudhën tetor-nëntor-dhjetor 2010. /Telegrafi/