LAJMI I FUNDIT:

AAK, heqja e Ministrisë së Energjisë e gabueshme

AAK, heqja e Ministrisë së Energjisë e gabueshme

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kritikuar qeverinë e Kosovës për heqjen e Ministrisë së Energjisë dhe Minierave. Pranvera Dobruna – Kryeziu, tha se si pasojë e kësaj qasjeje të qeverisë, Kosova tashmë nuk ka një adresë për energjinë, nuk ka përfaqësim adekuat për prezantim të kësaj fushe dhe ka kthim mbrapa në këtë sektor.

Kryeziu tha se qeveria po tregon se nuk e ka prioritet energjinë, si njëri ndër resorët më të rëndësishëm të vendit për zhvillim ekonomik.

“Ne mendojmë se zhdukja e kësaj ministrie është bërë për dy arsyeje, e para për akomodime politike të partnerit të koalicionit, dhe e dyta për shkak se ministria e Energjisë në mandatin e kaluar është udhëhequr në mënyrë joprofesionale, prandaj me atë udhëheqje jokompetente e ka bërë vetën të panevojshme”, tha Dobruna-Kryeziu.

Sipas saj, Ministria e Energjisë, do të duhej të ishte ekzistente e të kishte përbrenda edhe komponentë e diplomacisë së energjisë. /Telegrafi/