LAJMI I FUNDIT:

Evazioni fiskal, në ndjekje penale 39 biznese

Evazioni fiskal, në ndjekje penale 39 biznese

Administrata Tatimore e Shqipërisë çon për ndjekje penale 39 subjekte me akuzën e mospagimit të taksave dhe fshehjes së të ardhurave, raportoi të mërkurën e përditshmja Shqip. Vendimi është marrë pas hetimeve të kryera dhe verifikimeve në terren gjatë muajit shkurt nga grupet e Task Forcës të urdhëruara nga Drejtoria e Hetimit Tatimor.

Këto të fundit kanë konstatuar raste të evazionit fiskal, në shumat e 200 milionë lekëve për 39 subjekte private të cilat akuzohen për fshehje të ardhurash, mospagim të taksave, punësim të paligjshëm dhe falsifikim të letrave me vlerë.

Burime të besueshme nga Drejtoria e Tatimeve i thanë gazetës Shqip se shkeljet më të mëdha janë konstatuar për fshehjen e të ardhurave, në masën e rreth 144 milionë lekëve, vepër penale kjo e parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal. Me këtë akuzë janë çuar për ndjekje penale në prokurori 17 biznese.

“Për sa i përket veprave të tjera, si mospagimi i taksave, parashikohen në nenin 181 të Kodit Penal dhe prek dosjet e 14 bizneseve, për shumën e rreth 38 milionë lekëve,” raportoi Shqip. Ndërkaq, referuar raporteve nga Drejtoria e Tatimeve dhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, borxhi tatimor ndër vite ka ardhur në rritje të konsiderueshme. Shifra e fundit paraqet një nivel borxhi prej të paktën 400 milionë dollarësh, për të cilën KLSH ka propozon si zgjidhje ndërmarrjen e një amnistie fiskale. /Telegrafi/