LAJMI I FUNDIT:

Italia 45 milionë euro për biznesin e vogël dhe të mesëm në Shqipëri

Italia 45 milionë euro për biznesin e vogël dhe të mesëm në Shqipëri

Qeveria italiane ka vënë në dispozicion 45 milionë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri. Nisma është ndërmarrë nga Kooperacioni Italian në Shqipëri, i cili nisi të martën seminare mbi Sistemet e Menaxhimit të Mjedisit ISO 14001.

Këto seminare do të organizohen edhe në Shkodër më 24-25 Shkurt dhe në Vlorë në mes të marsit dhe synojnë që të krijojnë në ndërmarrjet shqiptare bazat për një sistem efikas të menaxhimit mjedisor dhe studimin mbi standardet ndërkombëtare të lidhura me to, veçanërisht standardin ISO 14001.

Ky Program është i financuar nga Qeveria italiane dhe përfshin tre komponentë të rëndësishëm, 25 milionë euro është fondi i Linjës së Kredisë në favor të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, 2.5 milionë euro është fondi për krijimin e Fondit të Garancisë, i cili mbështet ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për marrjen e kredive, kur ato kanë mungesë kolaterali si dhe 1.7 milion euro donacion për Asistencën Teknike për realizimin e Programit.

Në fjalën e tij, Drejtori i Kooperacionit Italian për Zhvillim në Shqipëri, Aldo Sicignano, theksoi se "nëpërmjet këtyre seminareve krijohet mundësia për të përmirësuar kontekstin në të cilin vepron sektori privat shqiptar, për të fuqizuar zhvillimin e bizneseve vendase, për të rritur konkurrueshmerinë e tyre në tregun evropian dhe ndërkombëtar dhe për të mbështetur procesin e integrimit evropian nëpërmjet adaptimit të reformave strukturore për përshtatjen e kërkesave të zgjerimit".


Ndërsa sekretarja e parë e Zyrës tregtare të Ambasadës italiane, Raffaela Valentini, theksoi bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Italisë si donator kryesor dypalësh dhe sektorit ekonomik shqiptar, veçanërisht ndërmarrjeve shqiptare, duke siguruar ndihmën e Zyrës Tregtare të Ambasadës Italiane për t’u krijuar bizneseve shqiptare mundësitë e përfitimit nga mbështetja e donatorëve evropianë. /Telegrafi/