LAJMI I FUNDIT:

Çmimet e romingut tepër të shtrenjta

Çmimet e romingut tepër të shtrenjta

Çmimet e romingut të cilat ofrohen nga të dy operatorët Vala dhe IPKO për konsumatorët e tyre janë tepër të larta në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimore dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Prandaj përfaqësuesit e këtyre vendeve duhet të krijojnë një zonë të tarifave të Ballkanit, ose të integrohen në Eurotarifa. Kanë thënë të martën në një konferencë me temë “Tarifat e larta të romingut në Ballkanin Perëndimor”, të organizuar nga Instituti GAP.

Tregu i telefonisë mobile është njëri ndër më profitabilët ka pasur një zhvillim të hovshëm në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, e gjithashtu edhe në Kosovë, ku numri i përdoruesve ka arritur në 1.5 milionë. Në Kosovë ekzistojnë dy operatorë mobilë, për dallim nga vendet tjera ku ka më shumë së dy sish, gjë që ka mundësuar uljen e çmimeve të telefonisë për thirrje lokale.

Konsumatorët vendorë nëse bëjnë thirrje nga Maqedonia në Kosovë, me operatorin Vala për një minutë kohë bisede duhet të paguajnë 1.79 euro/centë, kurse nga Shqipëria në Kosovë me IPKO duhet të paguajnë 2.09 euro/centë.

“Tarifat e larta të Romingut në Ballkanin Perëndimor janë të rregulluara në atë mënyrë që secili operator vendos tarifa aq sa dëshiron, që do të thotë se nuk ka një standardizim ndërmjet operatorëve në vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Jeton Mehmeti, hulumtues në Institutin GAP.


Edhe Evropa është përballur me probleme të tarifave të larta të Romingut. Por pas ndërhyrjes së Komisionit Evropian, në vitin 2007 është krijuar Eurotarifa, duke kufizuar çmimin me të lartë deri në 49 centë për një minutë.

Jeton Mehmeti ka sugjeruar që vendet e Ballkanit Perëndimor të krijojnë zonën e Ballkantarifës, ose të inkuadrohen në Eurotarifë.

Sipas tij, zona e Ballkan-tarifë do të duhej të vlente derisa shtetet e Ballkanit Perëndimor gradualisht të anëtarësohen në BE dhe më pas automatikisht të përdoren Euro-tarifa.

Përfaqësuesi i zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, Freek Janmat tha se tarifat nuk ulen vetvetiu nga rritja e konkurrencës, por ato duhet të kufizohen në mënyrë ligjore, siç ka bërë Komisioni Evropian në vendet e Evropës. /Telegrafi/