LAJMI I FUNDIT:

Privatizimi edhe në enklava

Privatizimi edhe në enklava

Ndonëse procesi i privatizimit në vend është kritikuar fort nga ekspertë të ekonomisë, zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), e kanë cilësuar si të suksesshëm këtë proces. Ata kanë thënë se privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore do të vazhdojë edhe nëpër enklava.

Zëdhënësi i AKP-së Ylli Kaloshi tha për Telegrafi se AKP gjatë vitit 2010 ka realizuar shtatë valë të privatizimit, si dhe ka bërë shitje përmes likuidimit të aseteve.

“Gjatë vitit 2010 janë mbajtur shtatë valë të privatizimit që përfshijnë 66 Ndërmarrje të reja dhe janë gjeneruar 36.2 milionë euro, si dhe 4.5 milionë euro, nga vala e 47 e privatizimit të mbajtur në muajin dhjetor”, tha Kaloshi.

Për të përshpejtuar procesin e privatizimit gjatë vitit të kaluar AKP ka realizuar valën e veçantë 45A, ku ka bërë privatizimin e ndërmarrjeve të mëdha si Banja e Pejës Ilixhe dhe Fabrika e Armotizatorëve, si dhe ndërtesat administrative.


“Privatizimi më i madh në historinë e shtetit është SharrCemi që është bërë së fundi për 30.1 milionë euro, prandaj nuk është i përfshirë në përmbledhjen e mësipërme. Blerësi i SharrCemit, Titan Grupi, është zotuar të investoj një shumë shtesë prej 35 milionë euro për të përmirësuar fabrikën për 5 vitet e ardhshme. Investimi i përgjithshëm i huaj në SharrCem është përafërsisht 87 milionë euro”, theksoi zëdhënësi Ylli Kaloshi.

Deri më tani AKP ka privatizuar 624 ndërmarrje dhe ka grumbulluar mbi 462 milionë euro. /Telegrafi/