LAJMI I FUNDIT:

BE-ja përmirëson efiçiencën energjetike në Kosovë

BE-ja përmirëson efiçiencën energjetike në Kosovë

Energjia efiçiente apo e gjelbër do të jetë që nga e enjta më e pranishme në shkollën e mesme “Gjin Gazulli” dhe shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë si dhe reparti i maternitetit në spitalin e Gjilanit, pas rehabilitimit të financuar nga fondet e BE-së. Këto investime të bëra kanë sjellë këto objekte më afër standardeve të BE-së në lidhje me efiçiencën e energjisë.

Shefi i sektorit për Politikë, Ekonomi dhe Integrim në BE, në Zyrën ndërlidhëse të KE-së Khaldoun Sinno, tha se investimi në efiçiencë të energjisë në ndërtesat e reja dhe ato ekzistuese ka rëndësi të madhe për Kosovën, e cila përballet me sfidën e shkallës së ulët të prodhimit të energjisë dhe konsumit të lartë. “ Këto ndërtesa publike paraqesin shembuj të mirë se si investimi në masat e kursimit të energjisë ndihmon në aspektin mjedisor dhe në aspektin ekonomik, me një periudhë të shkurtër të kthimit të investimeve”, theksoi Sinno.

Punët e rehabilitimit kanë qenë të përqendruara në masat e efiçiencës së energjisë siç janë: izolimi termik i mureve të jashtme dhe kulmit, izolimi i kulmeve kundër rrjedhjes së ujit, instalimi i dritareve dhe dyerve të reja të materialit PVC, riparimi i sistemeve ekzistuese të kazanëve dhe instalimi i paneleve solare për ngrohje të ujit.

Në kuadër të projektit të efiçiencës së energjisë, në shtator të vitit të kaluar janë rehabilituar edhe dy shkolla tjera në Gjakovë.


Pritet që shkalla e konsumit të ndërtesave të rehabilituara të bie së paku 40% si dhe të ketë përmirësime të dukshme të temperaturës brenda ndërtesave. Veç kësaj, do të ulet dukshëm ndotja siç është emetimi i CO2, që shkaktohet nga ngrohja.

Komisioni Evropian i kushton rëndësi të madhe efiçiencës së energjisë dhe mjedisit të pastër, financon e dhe disa projekte me vlerë dy milionë euro investime të BE-së për një Kosovë më të pastër dhe më të gjelbër. /Telegrafi/