LAJMI I FUNDIT:

Kosova nuk importon ushqime për kafshë nga Gjermania

Kosova nuk importon ushqime për kafshë nga Gjermania

Kosova nuk importon produkte nga Gjermania me përbërje të dyoksinës. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), përkatësisht Inspektorati i Blegtorisë dhe i Veterinës, po përkujdeset për kontrollin e cilësisë dhe përbërësve të ushqimit të koncentruar, për kontrollin e kushteve të ruajtjes dhe deponimit nga operatorët. Sipas dispozitave ligjore, asnjë kontingjent i importuar apo i prodhuar në vend nuk lejohet të vihet në qarkullim pa analizat paraprake kimike dhe mikrobiologjike.

Adil Behramaj, zyrtarë për informim në Ministrinë e Bujqësisë ka bërë me dije se duke u bazuar në të dhënat që ka kjo ministri, asnjë nga operatorët e licencuar për prodhimin dhe tregtimin e ushqimit të koncentruar për kafshë dhe aditivë nuk importon nga Gjermania dhe shtetet perëndimore misër. “Në harmoni me dispozitat e legjislacionit vendor, në rast të gjetjes së shkeljeve, inspektorët aplikojnë masa ndëshkimore, siç janë: konfiskimi, asgjësimi, therja e kafshëve etj.”, deklaroi ai.

Sipas Behramajt, deri më tani shkalla e rrezikshmërisë, që vendi ynë të preket nga kemikati helmues i ushqimeve që është përhapur në Gjermani, është shumë e vogël.

Skandali me dyoksinë po përhapet në Gjermani. Për herë të parë është dëshmuar prania e kësaj lënde helmuese edhe te mishi i derrit. Ministria për Bujqësi në Hanover ka njoftuar se për këtë shkak do të theren dhe do të asgjësohet mishi i qindra derrave. Deri tani dyoksina ishte dëshmuar vetëm te pulat dhe vezët.


Dëmet e deritanishme nga skandali me dyoksinë kapin shumën rreth 100 milionë euro. Gjithashtu, janë paraqitur edhe kërkesat e para për dëmshpërblime. /Epoka e Re/Telegrafi/