LAJMI I FUNDIT:

Kolapsi institucional zvarrit “Kosovën e Re”

Kolapsi institucional zvarrit “Kosovën e Re”

Vonesat në konstituimin e Parlamentit të Kosovës dhe në formimin e qeverisë së re janë duke ndikuar edhe në prolongimin e vendimeve rreth projektit energjetik “Kosova e Re”. Në fund të muaji tetor të vitit të kaluar, katër konsorciumet e kualifikuara për të marrë pjesë në projektin “Kosova e Re” kanë dorëzuar komentet e tyre në draft-kërkesën për propozime dhe në draft-marrëveshjen e projektit “Kosova e Re”.

Megjithatë, deri më tani nuk është marrë asnjë vendim për shkak të procesit zgjedhor që është duke u zhvilluar në Kosovë. Komiteti i ri drejtues i projektit do të bëjë shqyrtimin e komenteve dhe do të bëjë shpalljen e tenderit final.

Menaxheri i projektit “Kosova e Re”, Lorik Haxhiu, ka thënë se është duke u pritur përfundimi i procesit zgjedhor dhe konstituimi i institucioneve. Ai ka thënë se investitorët janë të njoftuar për procesin zgjedhor që është duke u mbajtur në Kosovë.
“Është duke u pritur që të përfundojë procesi i zgjedhjeve, të formohet qeveria dhe të kompletohet Komiteti Drejtues, pastaj të merren vendimet që kanë të bëjnë me projektin”, ka thënë Haxhiu.

Justina Shiroka- Pula, ministrja në largim e Energjisë dhe e Minierave, ka thënë se investitorët janë njoftuar për procesin e zgjedhjeve dhe pamundësinë për të marrë vendime deri në krijimin e qeverisë së re.


Në garë për këtë projekt janë: Konsorciumi Adani Power / Adani Global nga India dhe Indonezia, Konsorciumi AES Eelctric Ltd / Demir Export A.S. nga SHBA-ja dhe Turqia; Park Holding nga Turqia dhe Konsorciumu PPC / ContourGlobal LLP nga Greqia, Anglia dhe SHBA-ja. /Kd/Telegrafi/