LAJMI I FUNDIT:

Pa simbole në CEFTA

Pa simbole në CEFTA

Qeveria e Kosovës së shpejti pritet të marrë vendimin për modelin e përfaqësimit të Kosovës në takimet e CEFTA’s. Qeveritarët thonë se zgjidhja më e mirë do të jetë modeli Gymnih, ku shtetet përfaqësohen pa flamuj, por kështu nuk mendojnë ekspertët. Ata kërkojnë përfaqësim me simbole.

Kosova kryeson CEFTA’n, por ende pa e ditur modelin e mbajtjes së këtyre takimeve. Këtë vendim pritet që ta marrë Qeveria në mbledhjet e radhës. Sidoqoftë, zyrtarë qeveritarë pranojnë se modeli më i përshtatshëm është ai Gymnih, sipas të cilit shtetet përfaqësohen pa simbole shtetërore. Madje, kërkesën për caktimin e këtij modeli ditë më parë e ka pranuar Qeveria nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Zëdhënësi i Qeverisë në largim, Memli Krasniqi, thotë se shumë shpejt Qeveria do të marrë vendim se me çfarë modeli do të organizohen takimet e CEFTA’s. Ai tha se deri më tani në takimet e tjera të karakterit rajonal janë përfaqësuar sipas modelit Gymnih.

“Sipas këtij modeli, shtetet përfaqësohen në mënyrë të barabartë pa flamuj e kështu që besoj edhe këtë radhë në takimet e CEFTA’s do të jetë ky model”, tha Krasniqi.
Profesori i Integrimeve Evropiane, Gazmend Qorraj, thotë se shteti ynë mund të përfaqësohet edhe me simbolet shtetërore në këto takime gjatë kryesimit të CEFTA’s.


“Sistemi Gymnih është zgjedhja e dytë më e mirë, sepse duke marrë parasysh rrethanat që kanë ndodhur deri më tani, nuk shihet ndonjë mundësi më e mirë e përfaqësimit të Kosovës në CEFTA. Sistemi Gymnih është një sistem i adaptuar nga Komuniteti Ndërkombëtar në mënyrë që të gjendet një zgjedhje në kushtet e jashtëzakonshme dhe të dilet nga ndonjë krizë e mundshme e përfaqësimit”, tha Qorraj. /Express/Telegrafi/