LAJMI I FUNDIT:

Rritja e pagave (s’)rrezikon raportet me FMN-në

Rritja e pagave (s’)rrezikon raportet me FMN-në

Rritja e pagave për kategoritë që paguhen nga buxheti i Kosovës, me vendimin e Qeverisë së Kosovës, do të kapë shumën prej 100 milionë eurosh, ka bërë të ditur Ahmet Shala, ministër në dorëheqje i Ekonomisë dhe Financave. Ai ka theksuar se ekzistojnë mundësi për kursime, nga të cilat do të financohet rritja e të ardhurave.

Shala tha se financimi i këtyre rritjeve do të jetë nga kursimet, të cilat nuk do të cenojnë funksionalizimin e shtetit. “Kemi identifikuar një përqindje të konsiderueshme, e cila do të jetë në dispozicionin tonë gjatë propozimit të buxhetit për vitin 2011, në parlamentin e ridizajnuar”, është shprehur Shala.

Sekretari i OEK-ut Berat Rukiqi, , ka vlerësuar se vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave duhet të zbatohet nga ekzekutivi. Sipas tij, burimet, nga të cilat pretendohet të sigurohen mjetet, janë: zvogëlimi i ekonomisë joformale, evazioni fiskal dhe kursimi në mallra dhe shërbime.

“Përderisa është vendim i Qeverisë, atëherë është vendim i plotfuqishëm dhe si i tillë duhet të implementohet. Buxheti shpenzohet aq sa ka të hyra. Nëse arrihet që nga zvogëlimet e ekonomisë joformale dhe evazioni fiskal të sigurohet një pjesë e madhe e këtyre mjeteve, atëherë nuk rrezikohet buxheti”, theksoi Rukiqi.


Nevoja për rritjen e pagave ekziston, ka deklaruar Lumir Abdixhiku, nga Instituti Riinvest, porse mënyra se si po bëhet kjo rritje, sipas tij, nxit dyshime për qëndrueshmërinë buxhetore të Kosovës.

“Mos të harrojmë se viti 2011 është një vit i gjatë dhe i shumë sfidave për Kosovën. Ne kemi filluar një projekt qindra milionësh të autostradës. Kemi bërë rritje të pagave në vazhdimësi. Në anën tjetër, të hyrat buxhetore të vendit tonë kanë mbetur konstante”.

“Vetë deklarimi i ministrit dhe i kryeministrit se këto të hyra fillimisht do të sigurohen prej granteve dhe më pas prej kursimeve tjera, shfaq më së miri pikturën dhe fotografinë e krejt gjendjes buxhetore në Kosovë, meqenëse nuk ka një orientim të qartë apo nuk ka një burim të qartë të financimit për këto paga”, ka vlerësuar Abdixhiku. /Rel/Telegrafi/