LAJMI I FUNDIT:

Parametra negativë për zhvillim ekonomik

Parametra negativë për zhvillim ekonomik

Nuk ka shumë optimizëm se gjendja ekonomike në Kosovë do të mund të ndryshojë për të mirë gjatë vitit 2011, vlerësojnë ekspertët e ekonomisë. Musa Limani, drejtues i Institutit Ekonomik të Kosovës, thotë se të gjitha elementet flasin për një sistem joefikas ekonomik. Ndërkaq, Alban Hashani, ekspert për ekonomi në Institutin Riinvest, thotë se është e nevojshme gatishmëria politike për ta përmirësuar mjedisin afarist në Kosovë, gjë që do të çonte drejt ngritjes së dëshirueshme ekonomike.

Ekonomia kosovare ka trashëguar nga viti i kaluar parametra, të cilët nuk ngjallin ndonjë optimizëm se gjatë këtij viti gjendja mund të përmirësohet, vlerësojnë ekspertët e ekonomisë.

Sipas tyre, faktorët dhe rrjedhat që ndikojnë për një zhvillim të dëshiruar të ekonomisë, janë të pafavorshme për Kosovën dhe qeveria e ardhshme, bashkë me ekspertët e ekonomisë duhet të bëjnë përpjekje që të gjejnë mënyra për t’i dhënë kah pozitiv zhvillimit ekonomik.

Musa Limani, drejtues i Institutit Ekonomik të Kosovës, vlerëson se treguesit globalë makroekonomikë aktualisht janë negativë.


"Kemi deficitin e bilancit të pagesave 1 miliard e 800 milionë. Kemi normë shumë të lartë të papunësisë, ndonëse nuk kemi të dhëna të sakta publike, por janë mbi 60 për qind. E kemi 30 deri në 40 për qind GDP-në nga ekonomia joformale. Kemi ngritje të korrupsionit, kontrabandë ekonomike, rritje të varfërisë dhe normalisht, rritje të problemeve sociale”, vlerëson Limani.

Edhe Alban Hashani, ekspert për ekonomi në Institutin Riinvest, thotë se parametrat aktualë për një zhvillim ekonomik të Kosovës janë larg nivelit të dëshirueshëm. “Parametrat realë nuk janë shumë pozitivë, fatkeqësisht. Kjo është për shkak se neve na mungon një mobilizim i burimeve që sigurojnë një rritje ekonomike më të madhe se 7 për qind, ose eventualisht 10 për qind, për të cilën gjithmonë po e themi në institucione të ndryshme hulumtuese, se është minimumi i minimumit për të filluar t’i adresojmë problemet sociale që i ka Kosova”, tha Hashani.

Ndryshe, të dy këta ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se për të ndryshuar kahen negative të rrjedhave ekonomike të deritashme dhe aktuale në Kosovë, qeveria e ardhshme duhet të ndryshojë qasjen që deri më tash ka pasur ndaj ekonomisë. /Rel/Telegrafi/