LAJMI I FUNDIT:

Aeroporti Nënë Tereza gati për 1.8 milionë pasagjerë

Aeroporti Nënë Tereza gati për 1.8 milionë pasagjerë

Ka mjaftuar lajmi i mirë, i konfirmuar zyrtarisht, firmosur e vulosur nga strukturat ndërkombëtare, për të krijuar fluks të paparë kërkesash për udhëtime. Destinacioni: Europa... Të gjithë janë bërë gati, kanë blerë rroba të reja, valixhe e po mendojnë për dhuratat që do t’u çojnë të afërmve.

Planifikimi i mbi 200 mijë shqiptarëve është për t’i kaluar pushimet e dimrit, festat e fundvitit, në shtetet europiane, komplet zonën Shengen.

Muri i shembur për shqiptarët ka bërë që edhe në fillim të muajit nëntor të ketë radhë e fluks kërkesash për një pasaportë biometrike. Por jo vetëm dokumenti i identifikimit. Biletat e avionëve, trageteve, autobusë e gjithçka që mund të përfshijë transporti ndërkombëtar, janë në qendër të vëmendjes.

Prenotime, bileta të blera, por edhe përgatitje të mëdha për të udhëtuar jashtë shtetit, për të takuar të afërmit, fëmijët, nipërit, mbesat e për të gëzuar bashkë ditën e madhe të liberalizimit të vizave, shembjes së mureve, kufijve, njësoj siç ishte ëndërruar gjithmonë nga shqiptarët.


Agjencitë e udhëtimeve po bëjnë gjithçka, reklama, oferta, mesazhe promocionale për të fituar edhe më shumë klientelë, por edhe për të fituar. Parashikohet rritje e çmimeve për mjetet e transportit ndërkombëtar. Aty ku ka rritje të kërkesës, ka edhe rritje të ofertës, sidomos në rastin e Shqipërisë në muajin dhjetor, ku të gjithë do të kërkojnë transport e gjithçka tjetër, ndërkohë që nuk është njoftuar hyrja e kompanive të reja në treg.

Shoqëritë e udhëtimit ajror janë po ato, e nisur nga kërkesat që do të ketë, pavarësisht marrjes së masave, fluksi do të jetë shumë i vështirë për t’u përballuar. Një lajm i mirë vjen nga aeroporti “Nënë Tereza”. Zyrtarisht konfirmohet se aeroporti do ta përballojë fluksin, nëse do të ketë. Me zgjerimin që i është bërë infrastrukturës, aeroporti është në gjendje të përballojë deri në 1.8 milionë pasagjerë. /Tch/Telegrafi/