LAJMI I FUNDIT:

Shtet pa perspektivë ekonomike

Shtet pa perspektivë ekonomike

Derisa të hyrat nga doganat në të gjitha shtetet tjera kanë tendenca zvogëlimi të vazhdueshëm, në Kosovë po ndodh e kundërta. Vitin e kaluar Doganat e Kosovës kanë mbledhur më shumë se 600 milionë euro, sivjet ky institucion parashihet t’i mbledhë 702 milionë, ndërsa vitin e ardhshëm do të obligohet t’i grumbullojnë rreth 800 milionë euro.

Për ekspertët e ekonomisë kjo situatë është mjaft shqetësuese, pasi që të hyrat për buxhetin e Kosovës duhet të sigurohen nga Administrata Tatimore e jo nga Dogana.
Sipas tyre, barra e Doganës për mbushje të buxhetit duhet t’i bartet Administratës Tatimore.

Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se Doganat grumbullojnë rreth 74 për qind të hyrave të përgjithshme të buxhetit të vendit dhe kjo gjë, sipas tij, nuk ndodh në asnjë shtet tjetër. “Në çdo vend tjetër roli i Doganës në mbushjen e buxhetit është në rënie e sipër dhe kjo gjë duhet të ndodhë edhe në Kosovë, nëse pretendojmë të hyjmë në Bashkimin Evropian”, ka potencuar Gërxhaliu.

Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës thotë se krahas vështirësive në miratimin e buxhetit të vitit 2011 dhe rritjes së të hyrave nga Doganat, vitin e ardhshëm do të krijohet një ambient edhe më i vështirë për biznesin vendor.


Edhe prorektori i Universitetit “AAB Riinvest”, Muhamet Sadiku, thotë se më së lehti është të hyrat buxhetore të sigurohen në kufi. Mirëpo, sipas tij, të gjitha shtetet këto të hyra i mbledhin brenda vendit. “Një situatë e tillë, kur të hyrat sigurohen në kufi është rrënuese për aftësinë konkurruese në ekonominë e vendit. Asnjë shtet nuk mbledh të hyra në kufi”, pohon Sadiku.

Sipas tij, një situatë e tillë ndodh pasi që institucionet e vendit nuk janë në gjendje ta sigurojnë mbledhjen e tatimeve të nevojshme brenda territorit të vendit.

Ai sqaron se TVSH-ja në kufi paguhet nga bizneset para se të fillojë prodhimi dhe kjo gjë, siç thotë ai, e vështirëson prodhimin e brendshëm.

Prandaj, sipas Sadikut, shtetet tjera po i zvogëlojnë në masë të madhe të hyrat nga doganat, sidomos për shkak të liberalizimit të tregut nëpërmjet marrëveshjeve të ndryshme siç është rasti me CEFTA-n, ku të hyrat e doganës parashihet të bien në minimum. “Pjesëmarrja e bizneseve prodhuese në GDP-në e përgjithshme të vendit është rreth 15 për qind në Kosovë, ndërsa në vendet tjera është shumë më e lartë. Kjo tregon se vendit tonë i mbetet një rrugë shumë e gjatë që të shndërrohet në një vend prodhues”, ka nënvizuar Sadiku.

Deri më tani Doganat e Kosovës i kanë grumbulluar 557 milionë euro, apo 55 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kurse ATK-ja 158.6 milionë euro, apo rreth 20 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. /Zëri/Telegrafi/