LAJMI I FUNDIT:

Qeveria shqiptare, 3.2 mld euro kredi për rrugë dhe energji

Qeveria shqiptare, 3.2 mld euro kredi për rrugë dhe energji

Qeveria në Shqipëri do të marrë 3.2 miliardë euro kredi të reja. Fondet, sipas kryeministrit Sali Berisha, do të shërbejnë tërësisht për investime në infrastrukturë.

Banka Evropiane për Investim dhe Banka Islamike e Zhvillimit do të financojnë tërësisht autostradën Tiranë-Elbasan. BERZH është angazhuar se do të financojë projektin Qafë-Pllocë – Librazhd. BERZH së bashku me Bankën Islamike dhe Fondi Opek do të financojnë rrugët rurale.

Për rrugët rurale mund të japë kredi të buta edhe qeveria japoneze. Banka Gjermane e Zhvillimit (KFW) ka marrë përsipër linjë e interkonjeksionit midis Tiranës dhe Prishtinës dhe sipas kryeministrit, po konsideron me përparësi linjën e interkonjeksionit me Shkupin. Po ashtu, e njëjta bankë ka angazhuar fonde për një turbinë të re në hidrocentralin e Vaut të Dejës. Banka e Detit të Zi merr përsipër financimin e Rrugës së Arbrit.

Fondet e Gjirit marrin përsipër financimin e boshtit të jugut. Kurse qeveria austriake jep një kredi të butë për modernizimin me teknologjinë e fundit të 6 spitaleve. Sipas kryeministrit, këto kredi në shumën e 3.2 miliardë eurove, tregojnë besimin e institucioneve financiare ndërkombëtare te ekonomia shqiptare.


“Kreditoj do të thotë para së gjithash, besoj. Në qoftë se diku ka krizë besimi, ekziston besim i plotë ndaj ekonomisë dhe qeverisë shqiptare. Një faktor shtesë madhor ishte mesazhi që dërguam me ristrukturimin e buxhetit. Miqtë dhe partnerët tanë financiarë e kanë pritur në mënyrë të shkëlqyer, si dëshmi e seriozitetit të kësaj qeverie”, ka thënë Berisha.

Sipas kryeministrit, një faktor shtesë që u vlerësua nga partnerët financiarë të qeverisë, ishte edhe ristrukturimi i fundit i buxhetit. /tch/telegrafi/