LAJMI I FUNDIT:

MASHT ka tejkaluar shpenzimet

MASHT ka tejkaluar shpenzimet

Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për Ministrinë e Arsimit ka konstatuar disa tejkalime të shpenzime për vitin 2009. Ministri Enver Hoxhaj tha se raporti i auditorit është i saktë, por tha se shpenzime kanë qenë të nevojshme për punën e ministrisë.

Sipas tij, kjo ministri ka shpenzuar 92 për qind të buxhetit për vitin 2009. Mirëpo, auditori ka konstatuar mungesën e kontrollit të dosjes të personelit të të punësuarve në ministri, tejkalimin e shpenzimeve të telefonisë, si dhe ka kërkuar një kontroll më të mirë të kontratave mbi vepër. Sipas raportit, mbi 2 mijë janë shpenzuar më shumë për telefona vetëm gjatë muajve maj dhe shtator.

“Sa i përket shpenzimeve të telefonisë mobile, ne si Ministri e Arsimit kemi gjysmëmilioni njerëz në shkollat fillore, të mesme dhe arsimin e lartë, prandaj edhe shumica e thirrjeve telefonike, që janë thirrje të stafit, kanë të bëjnë me nostrifikim të diplomave, me shërbime të ndryshme, që ministria duhet t’iu ofrojë”, arsyetohet Hoxhaj.

Auditori ka pasur vërejtje edhe për të punësuarit me kontratë mbi vepër në këtë ministri. Ministri Hoxhaj tha se ka qenë e nevojshme që në këtë ministri të punësohen herë pas here ekspertë për segmente të caktuara.


Ministri, Hoxhaj tha se në raportin e auditimit për vitin 2009, janë dhënë 14 rekomandime, prej të cilave 8 janë zbatuar, ndërsa 6 të tjera pritet të realizohen në vazhdimësi.

“Auditori ka bërë një punë jashtëzakonisht të mirë dhe profesionale, çka falënderoj për këtë punë të drejtë. Ne si Ministri e Arsimit do të bëjmë përpjekje maksimale që këto rekomandime, të cilat mbeten që të jetësohen gjatë vitit 2010, t’i realizojmë”, tha Hoxhaj.

Megjithatë, Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj pranon se pasqyrat financiare të Auditorit të Përgjithshëm për këtë ministri janë të sakta. Ai tha se auditimi është kryer në përputhje më standardet ndërkombëtare. /rtk/