LAJMI I FUNDIT:

Banka Islamike: Partneritet afatgjatë me Shqipërinë

Banka Islamike: Partneritet afatgjatë me Shqipërinë

Zëvendëspresidenti i Bankës Islamike për Zhvillim, Birama Sidibe, gjatë një takimi me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, shprehu interesim për një partneritet afatgjatë me Shqipërinë.

Sipas njoftimit zyrtar nga Kuvendi, Sidibe tha se transformimet në Shqipëri janë impresionuese, ndërsa vlerësoi rritjen pozitive ekonomike të vendit, zhvillimin ekonomik në përgjithësi dhe arritjet e këtyre viteve.

“Bashkëpunimi me Shqipërinë është një model edhe për vendet e tjera. Jemi shumë të kënaqur që kemi realizuar një sërë projektesh shumë të rëndësishme, por mbi të gjitha shumë të suksesshme", theksoi Sidibe.

Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit falënderoi Sidibe për mbështetjen që kjo Bankë, e cila bashkëpunon në 56 vende, ka ofruar në realizimin e shumë projekteve në infrastrukturë e sektorë të tjerë. Dy bashkëbiseduesit e vunë theksin në mundësitë e bashkëpunimit me projekte konkrete, jo vetëm në infrastrukturë, por dhe në energjetikë e në projektet e gazsjellësve transnacionalë.


"Shqipëria po jeton momente shumë të mira të zhvillimit ekonomik dhe është ndër pak vendet në botë me rritje pozitive. Ky vend ofron potenciale të mëdha dhe mbi të gjitha një klimë shumë të favorshme për një biznes të sigurt për investitorët e huaj", tha Topalli. /Start/