LAJMI I FUNDIT:

Borxhet e konsumatorëve mbi 43 milionë euro

Borxhet e konsumatorëve mbi 43 milionë euro

Sipas të dhënave të fundit, borxhi i përgjithshëm i konsumatorëve ndaj Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), është mbi 43 milionë euro. Borxhlinjtë e PTK-së, ende evidentohen të jenë konsumatorë individualë, bizneset dhe institucionet vendore e ndërkombëtare.

Sipas Departamentit për Komunikim të PTK-së, ndonëse në gjykata janë proceduar lëndët në vlerë të borxhit prej mbi 18 milionë eurosh, ato mbeten peng i procedurave tejet të ngadalësuara të shqyrtimit.

“Pjesë e këtij borxhi, janë edhe borxhet e krijuara në periudhën 1999 – 2005, si pasojë e trashëgimit nga menaxhmentet e mëhershme, të cilat nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim konkret për parandalimin apo shlyerjen e këtyre borxheve, në veçanti ndaj Telekomit të Kosovës”.

Listës së borxhlinjve më të mëdhenj i prijnë, borxhet e konsumatorëve serbë të Mitrovicës, me mbi 3 milionë euro, ndërkohë që borxhlinj të PTK-së janë edhe institucionet e ndryshme publike e ndërkombëtare. Agjencia Kosovare e Privatizimit, më saktësisht ndërmarrjet të cilat kanë shkuar në likuidim kanë lënë borxhin prej 940 mijë eurosh ndaj Telekomit të Kosovës.


Top-borxhlinjtë e Telekomit të Kosovës janë institucionet dhe ndërmarrjet e shumta publike, shtetërore dhe private. Kështu, Shtëpia e Shëndetit në Mitrovicë ka borxh të pashlyer prej 53 mijë eurosh; Spitali i Përgjithshëm në Pejë 52 mijë euro, Universiteti i Prishtinës, 35 mijë euro; Hotel Theranda, 35 mijë euro: Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë 14 mijë euro; Fakulteti Ekonomik, 20 mijë euro; Banka Kreditore, 18 mijë euro; Gjykata Komunale në Kamenicë, 15 mijë euro, etj.

Edhe njësia tjetër biznesore e PTK-së, Vala, posedon me një listë të gjatë të ndërmarrjeve tregtare dhe konsumatorëve individualë që edhe më tutje nuk kanë paguar faturat e tyre.

PTK fillimisht ka themeluar një komision për arkëtimin e borxheve, i përbërë nga punëtorë të tri njësive të biznesit. Komisioni është i shtrirë asisoj që mbulon të gjitha rajonet e vendit. Komisioni ka hartuar planin e veprimit dhe ka filluar kontaktet me konsumatorët borxhlinj. Nga këto kontakte deri më tash janë arkëtuar mbi 3 milionë euro.

Ekziston strategjia, e cila në vete përmban disa masa që janë aprovuar nga menaxhmenti i PTK-së e që përfshin; kontaktin me konsumatorin – informimin për gjendjen aktuale në faturën e tij, vërejtjen e fundit dhe shkyçjen.

PTK i bën thirrje edhe një herë organeve kompetente, konkretisht gjykatave komunale që të jenë sa më efikase në procedimin sa më të shpejtë të lëndëve gjyqësore me konsumatorët e PTK-së, e cila është pasuri e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/