LAJMI I FUNDIT:

LDD: Kjo qeveri dëshiron që në tërësi të shesë pronën kombëtare

LDD: Kjo qeveri dëshiron që në tërësi të shesë pronën kombëtare

Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) ftoi të hënën qytetarët e Kosovës që të ndalin Qeverinë që sipas kësaj partie dëshiron të shes çdo gjë, ndërkaq LDD ka bërë kërkesën për debat në Kuvendin e Kosovës rreth çështjes së privatizimit të PTK-së.

Besa Gaxherri, nënkryetare e LDD-së theksoi se kjo qeveri pas shumë skandaleve dhe dështimeve të saj si dhe në përfundim të mandatit merr guxim që të përfshijë në privatizim kompaninë më profitabile në vend, PTK-në.

“Qytetarë të nderuar, kjo qeveri me paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e saj ndaj qytetarëve, duke qenë një qeveri e korruptuar dhe qeveri e krimit të organizuar për tërë mandatin e saj nuk ka mundur të përmirësoj performancën e të hyrave buxhetore në buxhetin e Republikës se Kosovës, nuk ka rritje reale të buxhetit të Kosovës sepse nuk ka rritje ekonomike, nuk ka ngritje të eksportit…”, theksoi Gaxherri.

Sipas saj, për të mbuluar këtë dështim dhe për të ndihmuar grupe të interesit, kjo qeveri dëshiron që në tërësi të shet pronën kombëtare.


“Derisa në vendet tjera rishqyrtohen mundësitë që ekonomia të centralizohet apo kontrollohet, nga qeveritë e vendeve në Kosovë po ndodh e kundërta, edhe pse ne kemi edhe një arsye më shumë në këtë aspekt, pasi që jemi shteti më i ri në botë dhe në Ballkan me probleme politike territoriale dhe ekonomike”, theksoi Gaxherri.

Ajo tha se duhet të ketë kujdes me shitjen e pronës sepse në këto kushte sociale-politike është shumë rrezik të shitet siç tha ajo “krejt çka kemi dhe të bëhemi qiraxhinj në shtëpinë tonë…”.

Gaxherri njoftoi se tashmë kanë bërë kërkesën për debat në Kuvendin e Kosovës për privatizimin apo mos privatizimin e PTK-së, pasi sipas saj LDD kërkon nga qeveria që t’i paraqes arsyet ekonomike dhe politike se çfarë fiton Kosova me shitjen e PTK-së. /Telegrafi/