LAJMI I FUNDIT:

Anëtarësimi në OBT proces kompleks

Anëtarësimi në OBT proces kompleks

Anëtarësimi në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) nuk do të jetë proces i lehtë për institucionet e Kosovës, ndërsa ky anëtarësim i shumë pritur nuk do të ndodh së paku në një afat të shkurtër kohor.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Lutfi Zharku tha se janë duke punuar që të plotësohet të gjitha kushtet për t’u bërë anëtar të OBT-së.

“Ne jemi duke i bërë të gjitha përgatitjet e duhura për të qenë anëtare e OBT-së, e që kanë të bëjnë me ngritjen e infrastrukturës së nevojshme ligjore në fushën e cilësisë, standardizimit, mbrojtjes së pronësisë industriale, mbrojtjes së investimeve, respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, liberalizimin e tregut, si dhe çështje të tjera”, tha ministri Zharku.

Ndërkaq, sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Berat Rrukiqi thotë se procesi duhet të filloi për anëtarësim në OBT pasi që të bëhen një numër i madh i përgatitjeve.


Alban Zogaj, nga instituti “Riinvest” tha se procedurat e anëtarësimit në Organizatën Botërore të Tregtisë varen shumë nga zhvillimi ekonomik i vendit aplikues dhe nga regjimi tregtar në atë vend.

“Procesi i anëtarësimit në OBT zgjat rreth pesë vite, por në rastin e Kosovës mund të zgjasë edhe më shumë, si rezultat i situatës ekonomike dhe politike në vend", tha Zogaj.

Ndryshe, Organizatën Botërore të Tregtisë e përbëjnë 153 shtete anëtare, që paraqesin afër 97 për qind të tregtisë botërore. Aplikimi i çdo vendi për anëtarësim pasohet me formimin e Grupit punues për shqyrtimin e aplikacionit. Rekomandimi i Grupit punues në fund i dërgohet Asamblesë së Përgjithshme gjegjësisht Konferencës ministrore e cila miraton anëtarësimin me 2/3 e votave, gjegjësisht me votat e së paku 102 shteteve. /Lajm/Telegrafi/