LAJMI I FUNDIT:

Kosova mungon në statistikat e “Eurostat-it”

Kosova mungon në statistikat e “Eurostat-it”

Shteti më i ri, Kosova nuk është përfshirë në statistikat e “Eurostat-it”, ndërkaq Shqipëria është klasifikuar si vendi më i varfër në Evropë.

Në një vlerësim krahasimor të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP) për frymë për vitin 2009, të shprehur sipas ‘Standardit të Fuqisë Blerëse’, Shqipëria kap fundin e listës të përbër nga 37 vende, mes të cilave mungon vetëm Kosova.

Në një mesatare evropiane të rrumbullakosur në shifrën 100, Shqipëria shënon vetëm 27 për qind, duke mos lënë asnjë vend pas saj. Bosnja renditet më lartë, me 30 për qind, Maqedonia shënon 35, Serbia 37 ndërsa Mali i Zi 43 për qind të GDP për kokë banori, krahasuar me mesataren e 27 vendeve evropiane.

Mirëqenia vlerësohet mbi mesataren evropiane tek 15 vendet e vjetra të BE-së, që kryesohen nga Luksemburgu me 268 për qind. Greqia ndodhet nën ketë mesatare me 95 për qind dhe ndiqet nga vendet Evropës Qendrore dhe Lindore.


Ndoshta për shkak të mungesës se Kosovës, për të cilën nuk paraqiten shifra, vendi i fundit në listë është Shqipëria, me një diference prej 73 pikësh nën mesatarën evropiane.

Përveç vendeve të BE-së dhe Ballkanit, vlerësimi i Zyrës Evropiane të Statistikave ka përfshirë dhe Zvicrën, Norvegjinë e Islandën. Vlerësimi përfundimtar i “Eurostat-it” do të publikohet në dhjetor të këtij viti. /Top-Channel/Telegrafi/