LAJMI I FUNDIT:

Rasic në konferencën e ILO-s kërkon ndihmë për punësimin e kosovarëve

Rasic në konferencën e ILO-s kërkon ndihmë për punësimin e kosovarëve

Një delegacion i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rasic, po merr pjesë në Sesionin e 99-të të Konferencës Ndërkombëtare të Punës (ILO) në Gjenevë të Zvicrës. Përveç përfaqësuesve të MPMS-së në përbërje të delegacionit nga Kosova janë edhe përfaqësuesit e sindikatave të Kosovës, Odës Ekonomike të Kosovës dhe Aleancës Kosovare të Biznesit.

Gjatë qëndrimit në Gjenevë, delegacioni nga Kosova ka zhvilluar një sërë takimesh me zyrtarë të lartë shtetërorë, të përfaqësuara në ILO, kurse në fokus të bisedimeve kanë qenë gjetja e mundësive për punësimin stinor të punëkërkuesve nga Republika e Kosovës në vende tjera, politikat e migracionit, problemet globale në tregun e punës, lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian si dhe mundësia e nënshkrimit të marrëveshjeve bilaterale në sferën e aftësimeve-trajnimeve profesionale dhe koordinimit në fushën e sigurimeve sociale.

Fillimisht delegacioni ynë ka pasur një takim me delegacionin e Republikës së Shqipërisë, i udhëhequr nga ministri i Punës dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, ku është diskutuar rreth vazhdimit dhe thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit në veprimtarinë e këtyre dy dikastereve, por edhe rreth pjesëmarrjes në takime rajonale si shtete, me qëllim të arritjes së nivelit rajonal të bashkëpunimit, që është interes i përbashkët.

Rasic ka zhvilluar takim pune edhe me delegacionin e Mbretërisë së Bahrejnit, i kryesuar nga Majeed Al Aëali, ministër i Punës të Mbretërisë së Bahrejnit, shtet ky që e ka njohur Kosovën, ku është biseduar rreth mundësisë së punësimit stinor të punëkërkuesve tanë në këtë shtet, kurse gjatë takimit të delegacionit të Kosovës me ministrin e Punës dhe Migracionit të Luksemburgut, Nicholas Schmit, ministri Rasic ka falënderuar, në emër të shtetit të Kosovës, Qeverinë dhe popullin e Luksemburgut për mbështetjen e vazhdueshme në ngritjen e aftësive të punëkërkuesve të Republikës së Kosovës përmes projekteve konkrete, që në vazhdimësi janë duke u realizuar në Kosovë nga Qeveria e Luksemburgut.


Çështja e pensioneve të qytetarëve të Republikë së Kosovës, që kanë punuar në Zvicër e që tash jetojnë në Kosovë, ka qenë ndër shqetësimet kryesore të ngritura nga delegacioni ynë gjatë takimit me Valeri Berset Bircher, zv/shefe për Çështje Ndërkombëtare të Punës në Departamentin Federal të Ekonomisë në Bernë të Zvicrës, e cila njëherësh është e ngarkuar nga Qeveria Zvicerane për negociata dhe bisedime me MPMS për këtë çështje.

Kurse në takimet e ndara që janë zhvilluar me Misionin e Kanadasë pranë OKB-së në Gjenevë dhe me ministrin e Punës të Jordanisë delegacioni i Republikës së Kosovës ka paraqitur gjendjen aktuale në vendin tonë lidhur me gjendjen e papunësisë dhe çështje tjera nga sfera sociale, për sfidat nëpër të cilat po kalon Kosova si dhe për mundësinë e zhvillimit të bashkëpunimit bilateral në mes këtyre vendeve dhe Republikës së Kosovës. /Telegrafi/