LAJMI I FUNDIT:

Konsorciumi francez humb betejën për tenderin e koncesionimit të Aeroportit të Prishtinës

Konsorciumi francez humb betejën për tenderin e koncesionimit të Aeroportit të Prishtinës

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka hedhur poshtë ankesën e konsorciumit francez, i cili ishte ankuar për manipulime me tenderin për koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Sipas vendimit të panelit shqyrtues të “gjykatës së tenderëve”, ankesa e kësaj kompanie “Boyges Batiment International” si lidere e konsorciumit ishte e pabazuar, për shkak se nuk u është përmbajtur kushteve të kontratës të kërkuara nga Autoriteti Kontraktues-Qeveria e Kosovës.
“Koncesioneri nuk i plotëson kërkesat e propozimeve teknike pasi kërkon ndryshim të kontratës dhe nuk arrin të dëshmojë se qëndron në ruajtjen e aksioneve deri në 51 për qind”, thuhet në vendimin e OSHP-së të datës 6 qershor për refuzimin e kërkesës së këtij konsorciumi.
Përfaqësuesja e këtij konsorciumi, Gail Earrender, sipas vendimit të OSHP-së, në seancat dëgjimore kishte deklaruar se arsyeja e ndryshimit të kushteve të kontratës ishte bërë për arsye se një gjë të tillë e kishin kërkuar bankat me të cilat kanë qenë në negociata për të hyrë në kredi. Këto institucione financiare, sipas Earrenderit, kishin sugjeruar që të ndryshohen kushtet e kontratës për shkak të rrezikut të investimeve.
Përveç kësaj, Operatori Ekonomik nuk siguronte ruajtjen e 51 për qind të aksioneve brenda konsorciumit, kriter ky i kërkuar nga Qeveria e Kosovës.
“Operatori ekonomik ka dështuar në ruajtjen e aksioneve prej 51 për qind ,ndërsa në kërkesën për propozim Autoriteti Kontraktues ka kërkuar që kompanitë me përvojë dhe me kapacitete të dëshmuara në operim dhe zgjerim të aeroportit ta mbajnë shumicën e aksioneve”, theksohet në këtë vendim.

Sipas deklaratës së Eric Fleurison, zyrtar në kompaninë franceze “Boyges Batiment International” (BBI), kompania “Eurokoha” e biznesmenit Remzi Ejupi nuk ishte pjesë e konsorciumit.
“Jo, kemi qenë në negociata me ‘Eurokohën’ dhe i kemi premtuar se do të merrte minimum 10 për qind të aksioneve”, citohet ky zyrtar në këtë dokument zyrtar të OSHP-së.
Ndërkaq, pjesë e këtij konsorciumi ishte kompania franceze BBI me 20 për qind, EGIS me 19 për qind, si dhe SEGAP me vetëm 1 për qind. Lideri i këtij konsorciumi, kompania franceze BBI, kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të merrte parasysh edhe “ProCredit Bank”, e cila mund të ishte pjesë e aksioneve për shkak të fillimit të negociatave me këtë subjekt afarist.