LAJMI I FUNDIT:

Veriu i Kosovës “i pakalueshëm” edhe për arkat fiskale

Veriu i Kosovës “i pakalueshëm” edhe për arkat fiskale

Bizneset që bëjnë pjesë në njësinë e tatimpaguesve të mëdhenj, e të cilat nuk janë interesuar fare për instalimin e arkave fiskale, ose janë gjobitur, ose do të gjobiten brenda javës. Zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës që nga e premtja janë në terren dhe do të jenë deri në fund të javës, për t’i kontrolluar të gjitha bizneset të cilat duhet të pajisen me arka. “Zyrtarët të cilët i kemi dërguar në terren për gjatë gjithë javës janë të obliguar t’i kontrollojnë të gjitha firmat, edhe ato të cilat i kanë vënë arkat fiskale, por edhe ato të cilat nuk i kanë vënë. Ata pastaj do të përcaktojnë se cilat kompani kanë nevojë për instalimin e arkave sipas ligjit, dhe cilat nuk kanë nevojë të instalojnë arka”, ka thënë Nahit Sharku, drejtor për Modernizim dhe Planifikim Strategjik në ATK.

ATK-ja ka filluar aplikimin e gjobave për bizneset të cilat nuk janë pajisur me arka. Javën e kaluar, ka thënë Sharku, ka filluar gjobitja edhe për ato biznese të cilat i kanë instaluar arkat dhe nuk janë duke aplikuar ato.
Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, ka thënë se mirëkuptimi i ATK-së sa i përket implementimit të arkave fiskale është për t’u lakmuar.
“Besoj që ATK-ja ka mekanizma që do t’i obligojë bizneset për fiskalizim. Në këtë aspekt sa më parë që ta kuptojnë bizneset është shumë më mirë për ta”, ka thënë Gërxhaliu dhe ka shtuar se OEK-u e ka përkrahur procesin e fiskalizimit pasi ky proces kontribuon që buxheti i Kosovës të jetë sa më i pasur.

Ashtu sikur shumë projekte të cilat duhet të shtrihen në tërë territorin e Kosovës, edhe projekti i arkave fiskale do të hasë në vështirësi në veriun e vendit. Ende pa filluar, zyrtarë të lartë kanë paralajmëruar se implementimi i këtij projekti në veriun e Kosovës do të hasë në vështirësi. Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se projekti i arkave fiskale mund të ketë pengesa në veriun e vendit.
Fillimi i fiskalizimit në Graçanicë për Gërxhaliun është një mesazh i mirë se edhe lokalitetet e banuara me serbë do të futen në këtë sistem.
Nahit Sharku, drejtor për Modernizim dhe Planifikim Strategjik në ATK, ka thënë se “Deri aty ku mund të veprojmë, po veprojmë”.

Për të gjithë ata që nuk respektojnë Udhëzimin administrativ, apo çdo ligj që i përket legjislacionit tatimor janë paraparë edhe masa ndëshkuese.
“Për arka fiskale ndëshkimi për grupin e parë do të jetë në vlerë prej 1000 euro, sepse i përkasin grupit të atyre që kanë qarkullim të madh”, është shprehur ai dhe ka shtuar se ky ndëshkim mund të aplikohet për çdo pikë të shitjes, jo vetëm një dënim për një subjekt.
Në bazë të ligjit, arkat fiskale janë të obligueshme për çdo tatimpagues në territorin e Republikës së Kosovës që ka numër fiskal, zhvillon aktivitet biznesi dhe bën transaksione, shitje me pakicë, ku si kundërvlerë është pagesa kesh.


Me gjithë faktin që ndërmarrjet publike, Aeroporti dhe Posta dhe Telekomi i Kosovës bëjnë pjesë në grupin e parë të tatimpaguesve, e që është dashur të pajiseshin me arka fiskale deri më 1 qershor, ato nuk kanë arritur të fiskalizohen brenda afatit.